Kompanitë që operojnë sektorin e energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesa për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Ato i kanë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga kreu i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu.
“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave”, thotë Fejzullahu për Klankosova.tv
Fejzullahu thekson se janë duke i shqyrtuar tarifat dhe më pas dalin me propozime.
“Aktualisht jemi duke i shqyrtuar këto kërkesa dhe pas shqyrtimit dalim me propozime. Besoj diku kah fundi i marsit deri më 1 prill afërsisht dalim me vendim”, theksoi ai.
Kreu i ZRrE-së nuk tregoi se sa është kërkesa e tyre për rritje.
Klan Kosova kishte raportuar javë më parë lidhur me një hap të tillë të KEDS-it dhe KESCO-s.
Kërkesat e këtyre kompanive janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Zyrës së Rregullatorit për Energji.