Kryesuesi i Bordit të Ndërmarrjes Publike KOSTT, Jeton Mehmeti, paralajmëron se kjo kompani është në gjendje të rëndë financiare, ku rrezikohet të mos ketë mjete të mjaftueshme as për pagat e punonjësve të kësaj kompanie nëse vazhdohet të zbatohen rekomandimet për pagesën e rrymës në veri.
Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Ekonomi, Mehmeti bëri me dije se ka kërkuar me anë të një shkrese nga kryetari i Kuvendit dhe kryeministri Kurti për zgjidhjen e pagesës së rrymës në veri.
“KOSTT-i është në një situatë të vështirë financiare, kemi dërguar shkresë edhe kryetarit të kuvendit, po ashtu edhe kryeministrit të Kosovës. Ne kemi një situatë, që nëse vazhdojmë me pagesat të cilat i kemi obligim dhe detyrim ligjor për dhjetorin dhe janarin, e kemi problem me i realizua pagesat të cilat I kemi si detyrime ndaj palëve kontraktuale, por edhe ndaj punonjësve të kompanisë. Është mirë që në takimin e radhës me trajtuar shkresën të cilën unë e kam dërguar tek kryetari i Kuvendit dhe në këtë Komision”, theksoi Mehmeti.
Kryesuesi Mehmeti, tha po ashtu se komplet kostoja e rrymës në veri bashkë me mjetet e alokuara nga Qeveria ka arrit 43 milionë euro.
“Në periudhën e caktuar kur kemi pasur probleme me veriun, kemi kërkuar vetëm 11 milionë euro për krejt vitin 2021, në atë periudhë çmimi i energjisë elektrike 50 euro, nuk ka pas logjikë që çmimi ka me mbërri 500 euro për MwH, dhe në fund na ka dalë me 43 milionë euro komplet kostoja e veriut bashkë me mjetet e alokuara prej qeverisë”, thekson ai.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala theksoi se pasojat për KOSTT-in i kishte paraparë qysh në kohën kur Vetëvendosje kishte propozuar rekomandimet për ndarjen e 11 milionë euro nga kjo kompani për rrymën në veri. Ndërkaq, ua kujtoj edhe diskutimet kolegëve të tij nga VV-ja kur ishin miratuar rekomandimet.
“Letra ka ardhur edhe te ne, po presim një përgjigje, besoj qe jemi brenda afatit kohor po presim një përgjigje nga kryetari kuvendit. Sigurisht që jemi duke e përcjell me shqetësim. Ajo që më vjen keq, është që para një kohe të caktuar, pikërisht për këtë çështje në debatin me kolegët, ish-drejtori I juaj(KOSTT) ka thënë se “Ne kemi para mjaft”. Keni qenë shumë dorë lirë. Keni bërë zgjidhje për 6 muaj, si do qoftë ne do ta përcjellim me seriozitet maksimal çështjen, jo vetëm të institucionit tuaj, por edhe të problematikës energjetike në vend”, u shpreh Shala.
Ndërkaq, gjatë diskutimit për mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT, kryesuesi Mehmeti theksoi se është shqetësuese se 23 punonjës të emëruar pa konkurs në këtë kompani, derisa tha se janë duke pritur një opinion ligjor për të marrë ndonjë vendim lidhur me këtë.
“Ajo çka është shqetësuese, është që në vitin 2017 disa vendime janë marrë në harmoni me Udhëzimin administrativ, pas shfuqizimit të tij disa vendime të tjera janë marrë vetëm në bazë të Rregullores, e cila ka mbetur në fuqi edhe pse është shfuqizuar ai udhëzim. Për këto 23 pozita të cilat janë gjetur që janë emëruar pa proces dhe pa konkurs të brendshëm, Bordi i drejtorëve në një mbledhje të caktuar ka kërkuar një analizë ligjore nga Zyra Ligjore se si duhet të trajtohen këto pozita. këtu jemi në një situatë ku mund të bëjmë dëm, por edhe ndoshta nuk mund të shkaktojmë dëm nëse këto pozita i kthejmë edhe një herë me një rikonkurs[…]Ajo që më shqetësuese është se edhe kontratat janë pa afat, edhe ne si bord kemi nevojë për këshillë juridike se çfarë veprimesh duhet të marrim”, tha Mehmeti.
Deputeti nga Vetëvendosje, Driton Hyseni ka pyetur Mehmetin se a janë emëruar shumica e zyrtarëve të lartë pa i përfillur procedurat konkurruese. Për këtë anëtari i Komisionit, Hyseni mori një përgjigje.
“Tek çështja e 23 pozitave të cilat janë evidentuar pozita të emëruara pa përfillur procedurat e nevojshme qoftë ligjore apo administrative të ndërmarrjes. A do të thotë kjo që më shumë se gjysma e pozitave drejtuese në KOSTT janë të emëruar mbi këto baza pa përfillur procedurat mbi bazë thjesht të një preferencë të kryeshefave ekzekutiv të mandateve të kaluara?”, ka pyetur Hyseni.
Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Mehmeti ka thënë se nuk e di saktë sa është numri i punonjësve në menaxhmentin e lartë, por shtoi se ky numër prej 23 pozitash tregon që shumica zyrtarëve në pozita të larta janë emëruar me një vendim si pozitë e përkohshme, e pastaj iu ka dhënë një vendim si pozitë e përhershme