Kosova ka mungesë të kapaciteteve për të akomoduar numër të lartë të vizitorëve nga vendet e rajonit. Përkundër që është thënë vazhdimisht nga autoritetet se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për akomodimin e një numri të lartë të turistëve të huaj, hotelet në pikat turistike përkatësisht në Rugovë, nuk kanë vende të lira për këtë vikend as edhe për 25 persona.
KosovaPress e ka kontaktuar një hotel në këtë zonë të njohur turistike për të vërtetuar nëse do të ishte në gjendje të akomodojë 25 persona për datat 14 dhe 15 maj, mirëpo operatorja e këtij hoteli ka thënë se nuk mund të bëjë një rezervim të tillë për shkak të mungesës së dhomave të lira.
Disa institucione qeveritare dhe biznese nga Shqipëria kanë konfirmuar për KosovaPress se me të njëjtën përgjigje të hoteleve në zonat turistike në Kosovë janë përballur edhe në të kaluarën, kur kanë kërkuar rezervime për grupe më të mëdha të njerëzve.
Astrit Zejna, pronari i një hoteli në Sarandë, thotë se Kosova është vonuar për krijimin e kapaciteteve në turizëm, duke shtuar se nuk posedon as njohuri të mjaftueshme për turizmin dhe kapacitetet e akomodimit.
“Janë pak të vonshme, por ka një përkushtim edhe të shoqatave të Kosovës, të cilët kanë punuar dalëngadalë për të sjellë vizitorë në Kosovë. Kjo është një nxitje që kërkohet edhe nga ana e operatorëve kosovarë që t’i shpalosin ofertat në Sarandë për të ardhur në Kosovë… Ne e kemi të vështirë në kuptimin e njohjes së turizmit, sepse kemi sulmuar gjithmonë sa i përket procedurave kufitare. Me thënë të vërtetën ne kemi jo një njohje të madhe për risitë e turizmit në Kosovë”, thekson Zejna.
Edhe Petrit Riza, përfaqësues i një operatori turistik kosovar, thekson se Kosova ka kapacitete mesatare, jo për një numër të madh të turistëve.
“Nëse krahasohet një dinamikë fluksi të turistëve të huaj në Kosovë, besoj që edhe turistët që vijnë nga Shqipëria për ta vizituar Kosovën me atë dinamikën e cila mund të jetë mesatare, jo në numra të mëdhenj, ka kapacitete për të akomoduar banorët nga Shqipëria. Për momentin qyteti i Prizrenit është një pikë turistike ku ata vijnë bëjnë një pushim ditor, por gjithsesi se Kosova ka kapacitete dhe pika të tjera turistike. Por, duhet një promovim më i madh i pikave turistike çka ofron Kosova… Ka potencial, por në momentin që shihet dinamika e numrit, normal që edhe komuniteti i biznesit investon në infrastrukturë dhe në hotele të reja. Por, në momentin që rritet numri i turistëve, mund të themi se i plotësojmë këto kërkesa”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Operatorëve të Industrisë së Turizmit në Sarandës, Astrit Çipa thotë për KosovaPress se operatorët turistikë kosovarë duhet ta promovojnë më tepër turizmin për të lidhur urat e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
“Pa dyshim që ka, që është konstatuar se kapacitetet janë kualitative në përgjithësi. Ajo çka mendoj se duhet punuar më intensivisht është fakti që operatorët turistik duhet të jenë më prezentë në panaire turistike ose në takimet B2B që organizohen dhe në nivelin ndërkombëtar, me qëllim që të prezantojnë produktet tyre dhe për të lidhur urat e bashkëpunimit më të thellë të tyre”, thotë ai.
Megjithatë, mendim ndryshe ka kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, i cili beson që Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe resurset për ta përballuar një fluks turistësh edhe nga Shqipëria.
Megjithatë, ai pajtohet se për të joshur turistët nga Shqipëria, autoritetet kosovare duan të intensifikojnë veprimet për promovimin e turizmit malor të Kosovës.
“Unë besoj se po (ka kapacitete), sepse nuk është hera e parë që ne komunikojmë dhe kemi bashkëpunim me agjencitë e operatorëve turistik të Kosovës. Që prej ardhjes time në këtë detyrë, kam qenë disa herë pjesë e delegacioneve të shtetit shqiptar, kryesisht të Ministrisë së Turizmit, ne kemi ardhur dhe kemi vizituar Dragashin, Rugovën, dhe vendet e tjera. Kështu kur në Sarandë dhe në të gjithë bregdetin përfundon sezoni veror, fillon sezoni turistik i Kosovës. Me aq sa kemi parë ne, kapacitetet dhe mundësitë, unë besoj dhe shpresoj që do të jetë një moment shumë i mirë edhe për turizmin malor të Kosovës që të josh pjesën e turistëve nga Shqipëria, pse jo nga Saranda dhe nga bregdeti. Sepse bashkëpunimi dypalësh duhet të intensifikohen në mënyrë që shkëmbimet mos të mbeten në letër, por të jenë reale dhe praktike. Me aq sa kam parë dhe aq sa kam informacion, besoj që Kosova i ka të gjitha mundësitë dhe resurset për ta përballuar një fluks turistësh edhe nga Shqipëria”, thotë ai.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shkurt të këtij viti numri i vizitorëve, vendorë dhe të huaj, ishte 27. 739 prej tyre 44.92% ishin vendorë dhe 55.08% ishin të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 41, 311 prej tyre 42.79% nga vendorët dhe 57.21% nga të huajt.
Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 11, 213 vizitorë dhe 16 925 net-qëndrime. Pjesë e anketës kanë qenë 206 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
Sipas kësaj ankete të ASK-së numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë, e kështu me radhë. Kurse, sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh ishte nga: Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.