Të enjten, në Kosovë do të qëndrojë Shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, Komandanti Thomas Sussli.
Vizita e tij do të përqendrohet në trupat e vendit të tij që kontribuojnë në KFOR.
Me këtë rast, njoftohet se ai do të takohet edhe me Komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.
Gjatë vizitës, Shefi i Forcave të Armatosura zvicerane synon të bisedojë me ushtarët zviceranë të dislokuar në Kosovë dhe të mbledhë përshtypjet për shërbimet e ndryshme që i ofrohen KFOR-it.
“Me këtë rast është paraparë një takim bilateral me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani të Forcave të Armatosura të Italisë. Mandati i Forcave të Armatosura të Zvicrës për KFOR-in u rinovua në vitin 2023 dhe zgjat deri në fund të vitit 2026”, thuhet në një njoftim të Qeverisë Federale zvicerane.
Më pas, shefi i ushtrisë zvicerane do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë një pasqyrë të situatës në rajon.