Dy mikeshat nga Kosova, Rita dhe Florjana, të cilat jetojnë në Zvicër, kanë hapur një biznes të ri ndërsa emri i tyre i markës duket se është bërë problem për Rihannën.
Kjo pasi vajzat shqiptare vendosën ta quajnë markën e tyre në industrinë e modës “Riana” sepse është një ndërthurje e dy emrave të tyre, Rita dhe Florjana.
Pikërisht ky emër, pothuajse identik me emrin e saj, ka shqetësuar ekipin ligjor të këngëtares me famë botërore që kanë dërguar ekipin e saj të avokatëve për të marrë përsipër situatën. Emri i markës “Riana” nga njerëzit do të lidhej me Rihannën, ndaj pretenduan se suksesi i dy vajzave do të ishte në kurriz të këngëtares.
Kështu avokatët kërcënuan Ritën dhe Florjanën se do t’i padisnin nëse nuk do të ndryshonin emrin e biznesit të tyre. Për këtë arsye shqiptaret ndryshuan qëndrimin e bashkimit të emrave, duke e quajtur firmën e re “Anari”.
“Ne jemi një kompani e re dhe thjesht donim të fillonim me shkronjat e para të emrave tanë. Ne e regjistruam biznesin në Cyrih dhe emri i Rihannës nuk kishte asnjë lidhje me punën tonë. Ishte fundi i botës për ne kur avokatët e Rihannës kërcënuan. Rihanna është shumë e madhe dhe nuk kemi në plan të hyjmë në proces gjyqësor me të. Tani kemi një emër tjetër”, kanë thënë vajzat për mediat zvicerane.