Marrja e dokumenteve të udhëtimit e patentë shoferëve nga qytetarët të cilëve u ka kaluar afati dhe ata që duan të pajisen për herë të parë me këto dokumente është bërë e vështirë, raporton Gazeta Sinjali.
Mungesa e këtyre dokumenteve sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme po ndodh për shkak të mungesës së materialit, ku furnizimi është vështirësuar.
Pasaporta dhe patentë shoferë tash lëshohen vetëm për raste urgjente, ku duhet edhe pagesë shtesë pos asaj të rregullt, raporton Gazeta Sinjali.
Ka pasur edhe në të kaluarën raste kur qytetarët nuk kanë mundur të pajisen me dokumente si pasaporta, letër njoftime, patentë shofer, targa e të tjera për shkak të tenderëve, anulimit të tyre e ankesave.
Nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë për Gazetën Sinjali, se për arsye të krizës globale, si dhe pandemisë me COVID-19, furnizimet me material janë vështirësuar.
“Si shumë shtete të tjera, ashtu edhe ne po kemi vështirësi të furnizimeve me materiale, këto vështirësi i ka shkaktuar kriza globale, si dhe pandemia me COVID-19”, thonë nga MPB-ja.
Nga Zyra për Media thonë më tej se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar që të pajisë të gjithë qytetarët me dokumente, e në veçanti rastet që kanë nevojë urgjente./GAZETAPAPIRUS/