Për herë të parë, Kosova është nikoqire e njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e sportit, FISU – Kupës Botërore Universitare të Hendbollit. Ky event do të mbahet në Prishtinë nga 11 deri më 17 korrik 2022. Organizatore e kësaj ngjarjeje është Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK), nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU).
Nikoqiri i këtij eventi, drejtori ekzekutiv i Kupës, z. Musa Selimi, në konferencën për media, tha se kjo është ngjarja më e madhe që do të ndodhë në vendin tonë.
“Ka qenë një moment emocional kur e kemi pranuar vendimin në vitin 2019 nga FISU që ne do të jemi nikoqir i kësaj ngjarjeje të madhe botërore. Është e rëndësishme të ceket që kryeqyteti ynë do t’i pret rreth 500 studentë, përfaqësues të ekipeve nga katër kontinente të botës. Sigurisht se vlera e shtetit tonë do të shtohet në arenën ndërkombëtare, duke i pritur dhe duke promovuar shtetin tonë, kryeqytetin tonë rininë tonë të shkëlqyeshme dhe sigurisht që e kemi një test para nesh e që bashkërisht me partnerët tanë do të ia dalim”, ka thënë Selimi.
Ky aktivitet po përkrahet nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komitetin Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit të Kosovës.
Ministri i MKRS-së, z. Hajrulla Çeku, tha se kjo kupë është mundësi e artë për promovim të Kosovës.
“Me këtë ngjarje dhe të tjera që presim të i konfirmojmë po i tregojmë botës që shteti ynë konkurron me shumë vlera dhe se nuk jemi vetëm një popullsi e re me shumë talent në sport, art, shkencë dhe në fusha të tjera, por kemi edhe kapacitet dhe vullnet të jemi organizator të ngjarjeve te mëdha” tha Çeku, duke ftuar për festë nën moton e Kupës “Hands UP and celebrate”.
Kosova nuk është vetëm organizatore, por edhe pjesëmarrëse në këtë event përmes ekipeve të studentëve të UP-së. Për këtë, i pari i këtij institucioni, z. Naser Sahiti, tha se mbështetja e një eventi të tillë është obligim ndaj studentëve, por edhe gjithë vendit.
“Përveçse partner, Universiteti i Prishtinës do të jetë pjesëmarrës aktiv dhe kjo na bën të jemi të lumtur, sepse po dëshmohet që shteti ynë është konsoliduar dhe jemi në rrugë të mbarë për të qenë shtet ashtu siç na ka hije”, theksoi rektori, i cili u shpreh i lumtur që studentët e UP-së do të garojnë në këtë kompeticion.
Prishtina pritet të marr pamje tjetër në javën e dytë të korrikut. Kryetari i kësaj komune, z. Përparim Rama, tha se është kënaqësi që të jemi nikoqir të eventit që po sjellë në kryeqytet pjesëmarrës nga katër kontinente.
“Është kënaqësi që të jemi nikoqir i këtij eventi të madh ku marrin pjesë katër kontinente, pra një numër i madh i shteteve dhe ne nëpërmjet sportit po e zhvillojmë turizmin sportiv dhe po e prezantojmë kulturën tonë”, tha z. Rama.
Në cilësinë e ushtruesit të detyrës të presidentit të FSUNK-së të pranishmëve iu drejtua z. Gani Ibrahimi. Ai tha se pas 7 vjetësh anëtarësim në FISU, Kosova është organizatore e kësaj kupe.
“Me të drejtë do të përsërisim së Federata e Sporteve Universitare e Kosovës, shteti i Kosovës dhe Prishtina i sollën një ngjarje sportive me karakter botëror, ku do t’i japim emër, mbiemër Kosovës me këtë event sportiv, me mikëpritje, organizim, promovim vlerash e kulturës”, tha ai.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, z. Eugen Saraçini, tha se federata që ai përfaqëson është partnere e rëndësishme e këtij eventi dhe u zotua që do të jap maksimumin që ky evenimet të reflektojë eksperiencën e tyre të organizimit të evenimenteve kaq të mëdha.
Gjatë kësaj konference u bë prezantimi i promos zyrtare të FISU – Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, si dhe u prezantuan fanellat e ekipit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Kupa do të organizohet nën moton “Hands UP and celebrate” dhe pritet të sjellë në Kosovë rreth 20 ekipe nga universitete të ndryshme të botës.