Qeveria e Kosovës në periudhën e ardhshme do të duhej të anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, por pret që edhe Bashkimi Evropian t’i anulojë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës, thotë ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Siç shpjegon ai, anulimin e vendimit për ndalimin e importit të mallrave serbe ia kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përveç tij edhe “disa diplomatë ndërkombëtarë”. Sipas Rashiqit, përgjigja e Kurtit ka qenë se ai, si kryeministër, dëshiron shtensionimin e plotë, por “që Bashkimi Evropian duhet të tregojë njëfarë mirëkuptimi”.
“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë [heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës], nuk mund t’ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tonë”, thotë Rashiq për REL.
Megjithatë, ai nuk specifikoi datën e saktë apo në çfarë afati kohor duhet të merren këto vendime.
Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur. Ndërkohë, lejohet hyrja e kamionëve me targa të Serbisë, por jo edhe qarkullimi i mallrave serbe.
Dy muaj më vonë, një nga rezultatet e këtij vendimi është se pothuajse nuk ka produkte nga Serbia në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Siç thonë banorët e Mitrovicës së Veriut dhe disa nga biznesmenët, për shkak të mungesës, ata i zëvendësuan produktet serbe “kundër vullnetit të tyre” me ato nga vendet e rajonit.
Nga ana tjetër, në fund të qershorit, BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, sepse nuk i ndërmori hapat e duhur për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës. Disa nga masat e marra ndaj Kosovë janë pezullimi i përkohshëm i punës së të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe pezullimi i ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë.
Më pas, më 10 korrik, Kosova arriti një marrëveshje me BE-në për shtensionimin e situatës në veri dhe deri më tani ka ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë e kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Rashiq: Interesat strategjike bëjnë të mundur që të gjithë të fitojnë
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vlerëson se procesi i deeskalimit të situatës në veri të Kosovës po shkon në drejtimin e duhur dhe se në këtë moment “të gjithë duhet të jenë të durueshëm, tolerantë dhe të arsyeshëm”.
Ai thekson se anulimi i vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia do të bëhet me qëllim të shtensionimit të mëtutjeshëm, por rithekson se Kosova “duhet të marrë diçka”.
“Ju e dini si është në politikë, ju jepni diçka, ne japim diçka. Këto janë interesa strategjike që i lejojnë të dyja palët të fitojnë dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sepse vetë diplomacia do të thotë të ‘tolerosh’ palën tjetër për të marrë vendime të arsyeshme”, thekson Rashiq.
Bashkimi Evropian nuk iu përgjigj pyetjes nëse po shqyrtohet heqja e masave ndaj Kosovës.
Burime diplomatike të REL-it në BE kanë thënë më herët se heqja e masave ndëshkuese do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Prishtina.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi më 10 gusht se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë më shumë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri dhe se blloku evropian është i gatshëm të marrë masa kundër Serbisë nëse nuk bashkëpunon për këtë çështje.
Ai nënvizoi se masat e BE-së varen nga mënyra se si Prishtina dhe Beogradi i qasen shtensionimit dhe kthimit në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Ambasada e SHBA-së: Shmangni veprimet që çojnë në përshkallëzim
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Kosovë thekson se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për të promovuar qarkullimin e lirë ndërkufitar të mallrave dhe jo të ndërmarrin veprime që do ta pengonin atë.
“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë tensionet, të shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe t’i kthehen menjëherë dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve] të udhëhequr nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. Aty shtohet se ky qëndrim i SHBA-së i është përcjellë kryeministrit Kurti dhe nga sekretari i shtetit, Antony Blinken, më 26 qershor.
Që nga fundi i majit, SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore i kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i kthehen dialogut pas tensioneve të shtuara në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në mars të këtij viti, të dyja palët ranë dakord në Ohër për zbatimin e disa pikave nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin e Bashkimit Evropian. Ajo marrëveshje duhet të zgjidhë një numër të madh çështjesh të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.