Qeveria e Kosovës po planifikon ndërtimin e një memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Se kur mund të fillojë realizimi i këtij projekti akoma nuk dihet. Ndërkohë, prindër të fëmijëve të vrarë dhe historianë thonë se Kosova është vonuar për ngritjen e memorialit përkujtimor për fëmijët martirë të lirisë.
Që nga çlirimi i Kosovës, në qershor të vitit 1999, mijëra qirinj janë ndezur e kurora me lule janë vendosur në kujtim të 1 mijë e 133 fëmijëve, sa besohet që janë vrarë gjatë luftës së fundit në nivel vendi.
Në mesin e viktimave të gjenocidit serb në Kosovë janë edhe të gjithë fëmijët e Sebahate Berishës nga Hoqa e Vogël e Rahovecit, që u vranë pasi u godit me bomba shtëpia ku ishin strehuar, në fshatin Nagavc.
“Më janë vrarë pesë vajzat: Adelina Berisha 9 vjeçe, Njomza 7 vjeçe, Shkurtesa 5 vjeçe. Lezija 2 vjeçe dhe Elhame Berisha që i kishte veç gjashtë muaj”, rrëfeu nënë Sebahatja.
Për këta dhe krejt fëmijët e tjerë të vrarë në gjithë Kosovën, gjatë viteve 1998-1999, akoma nuk ka një memorial të veçantë përkujtimor.