Kombëtarja e Kosovës po bëhet gati për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” do ta zhvillojnë sot seancën e fundit stërvitore para duelit të nesërm ndaj Irlandës së Veriut.
Federata e Futbollit të Kosovës njofton se Vedat Muriqi me shokë do të ushtrojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 17:30 sot, ndërsa paraprakisht do të mbahet konferenca për shtyp e selektorit Alain Giresse.
Kosova sot do ta zhvillojë një stërvitje të lehtë, duke e pasur parasysh se nesër do të zbresë në fushën e blertë për ta zhvilluar ndeshjen e tretë në muajin qershor, shkruan “Gazeta Express”.
Ndërkohë, stërvitja e mysafirëve nga Irlanda e Veriut do të zhvillohet nga ora 19:00, kurse paraprakisht do të mbajë konferencë për shtyp.
Të dyja Kombëtaret janë të vendosura për ta fituar ndeshjen e nesërme, e cila do të fillojë në orën 20:45.
Kosova e ka një fitore e një humbje në Grupin 2 të Ligës C, e Irlanda e Veriut një barazim e një humbje.
Madje, veri-irlandezët nuk kanë fituar në Ligën e Kombeve qe 12 ndeshje. /Gazeta Express/