Kryediplomatët e Kosovës dhe të Serbisë kanë këmbyer akuza ndaj vendeve të njëri-tjetrit në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku të martën vonë u diskutua për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.
Ministrja e Jashtme në detyrë Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Serbia “nuk ka ndryshuar” dhe se ajo po i vazhdon përpjekjet për ta destabilizuar demokracinë e Kosovës, “jo vetëm përmes retorikës, por përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që e rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u ankua se gjendja e serbëve në Kosovë “po përkeqësohet” dhe “serbët po e paguajnë çmimin”.
Gërvalla tha se “në shtator 2023 Kosova ishte cak i një inkursioni të armatosur nga një grup paramilitar të mbështetur nga Serbia dhe të udhëhequr nga Millan Radoiçiq”.
“Banjska ishte akt paramilitar nga një shtet në një shtet tjetër, Ibër-Lepenci ishte sulm i gradës ushtarake nga një shtet në infrastrukturën kritike të një shteti tjetër”, tha Gërvalla.
Një polic u vra dhe tre sulmues në shtator të vitit 2023 kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës. Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit – e mori përgjegjësinë për sulmin.
Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit në Banjskë dhe pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e ujit në veri në fund të vitit 2024. Serbia i ka mohuar akuzat.
Gërvalla kërkoi përsëri që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, ndaj të cilit autoritetet kosovare kanë ngritur aktakuzë.
Ndërkohë, Gjuriq tha se nuk është në gjendje t’i “listojë të gjitha veprimet e njëanshme nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti”.
“Në muajt e fundit Prishtina i ka përshkallëzuar fushatën për t’i shpërbërë sistematikisht institucionet serbe në gjithë ‘Kosovën dhe Metohin’. Këto nuk janë gjeste simbolike, ato kanë pasoja të drejtpërdrejta për njerëzit. Pagat, pensionet dhe ndihma sociale për mijëra familje serbe janë ndërprerë. Mjetet për mbijetesë për shumë bashkatdhetarë tanë janë vënë në rrezik”, tha Gjuriq.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga.
Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, e të ngjashme.
Gjuriq pretendoi se serbët janë duke ikur nga Kosova dhe se sulmet ndaj tyre kanë shënuar rritje, pa dhënë ndonjë provë.
“Prej se Kurti erdhi në pushtet, 20 për qind e serbëve kanë ikur nga Kosova. Sulmet ndaj serbëve janë rritur për 15 për qind. Mos të harrojmë se më shumë se 200.000 serbë janë zhvendosur nga viti 1999 dhe vetëm 2 për qind janë rikthyer”, tha ai.
Kryediplomati kërkoi gjithashtu që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si zgjidhje për telashet e serbëve në Kosovë.
“Kur do të themelohet Asociacioni i komunave me shumë serbe? Veprimet e Kurtit tregojnë qartë se nuk ka vullnet për këtë”, tha ai.
Ai shtoi se “dialogu mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara, por ai duhet të ndërtohet mbi besim”.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, John Kelley, tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për uljen e tensioneve, të përmbahen nga masa që përshkallëzojnë situatën dhe të ndërtojnë paqe e stabilitet mes tyre dhe në rajonin më të gjerë, si themel për një të ardhme më të begatë.
“Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë”, tha Kelly.
Ai shtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Amerika dhe komuniteti ndërkombëtar janë më të sigurt kur vendet i zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore dhe më të begatë kur krijojnë klimë për zgjerimin e tregtisë dhe investimeve ndërkombëtare”, nënvizoi ai.
Në fjalimin e tij para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i Sllovenisë tha se, sipas raporteve, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, megjithëse kanë ndodhur disa incidente serioze.
Ai përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, duke i cilësuar ato si paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse — një hap pozitiv drejt forcimit të demokracisë në vend. Po ashtu, mirëpriti bisedimet e fundit mes zyrtarëve të BE-së dhe liderëve politikë të Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se viti 2025 duhet të jetë një fillim i ri për dialogun Kosovë–Serbi, duke u bërë thirrje udhëheqësve që të angazhohen në dialog konstruktiv, të krijojnë besim të ndërsjellë dhe të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese.
Sllovenia kërkoi shmangie të veprimeve të njëanshme dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet, veçanërisht për komunitetin serb të Kosovës.
Sllovenia dënoi fuqishëm sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor dhe atë në Banjskë në shtator 2023, duke kërkuar përgjegjësi për autorët.