Republika e Kosovës ka nënshkruar Konventën e Lubjanës – Hagës mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës Konventa u nënshkrua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, z. Agron Bajrami, të premten në ambientet e Ministrinë e Punëve të Jashtme, Tregtisë së Jashtme dhe Zhvillimit Ndërkombëtar të Mbretërisë së Belgjikës.
Mbretëria e Belgjikës është shtet depozitar i Konventës së Lubjanës – Hagës mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve të tjera ndërkombëtare, ndërsa deri më tash nënshkrimi i saj është bërë nga më shumë se dyzet shtete të tjera.
Qëllimi i Konventës së Lubjanës-Hagës është të lehtësojë bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale mes shteteve palë, me synimin për të forcuar luftën kundër mosndëshkimit për krimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe aty ku është e zbatueshme, krimeve të tjera ndërkombëtare.