Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Koreja e Veriut ka testuar një raketë gjatë vizitës së tij në Seul më 6 janar.
Sipas tij, ky veprim i Phenianit është përkujtues për nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Uashingtonit, Koresë së Jugut dhe Japonisë për t’iu kundërvënë Veriut.
Koreja e Veriut gjuaji një raketë balistike me rreze të mesme veprimi rreth mesditës, sipas kohës lokale, e cila fluturoi mbi 1.100 kilometra në lindje para se të binte në det, tha ushtria e Seulit.
“Testimi i sotëm është përkujtesë për të gjithë ne se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë”, theksoi kryediplomati amerikan.
Blinken paralajmëroi kundër thellimit të raporteve mes Phenianit dhe Moskës.
Ai tha se Uashingtoni beson që Rusia po synon që të ndajë hapësirën dhe teknologjinë e satelitëve me Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës për luftën në Ukrainë, ku më shumë se 1.000 ushtarë të Koresë së Veriut thuhet se janë vrarë apo plagosur.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili përfundon mandatin këtë muaj, ka thelluar bashkëpunimin me Korenë e Jugut dhe Japoninë, pavarësisht mospajtimeve mes fqinjëve aziatik.
Si trazirat politike në Korenë e Jugut, ashtu edhe rikthimi në Shtëpinë e Bardhë i Donald Trumpit, kanë rritur pikëpyetjet nëse ky bashkëpunim do të vazhdojë, raporton REL.