Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shqetësimin lidhur me aksionet e Policisë së Kosovës në veri, duke theksuar se veprimet duhet të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë.
Në emisionin FIVE Hargreaves theksoi se është e rëndësishme që çdo aksion të ketë një ndikim sa më të ulët te qytetarët serbë, të cilët duan të jetojnë në një mjedis paqësor dhe produktiv në Kosovë.
“Kur flasim për veprimet në veri nuk është sekret që ne dhe partnerët tjerë evropianë dhe SHBA-të nganjëherë kemi qenë të brengosur lidhur me aksionet që ishin ndërmarr në veri. Kisha thënë tri gjëra, koordinohu, negocio dhe zbutë.
“Pra, koordinohu me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë kur ka aksione të cilat organet e Kosovës duan t’i bëjnë, sepse kjo i bënë më të sigurta dhe do të thotë që partnerët ndërkombëtarë nuk kapen në befasi, negocio sepse konsiderojmë se mënyra më e mirë për të zgjidhur çështjet e statusit të institucioneve të financuara nga Serbia në gjithë vendit në veçanti në veri është në kuadër të rrugës së negociatave në dialog dhe kjo është mënyra për të gjetur mënyrë të qëndrueshme të integrimit të këtyre institucioneve brenda qeverisjes kosovare dhe e treta nëse është e nevojshme të merren veprime lidhur me ato institucione të zbutet ndikimi tek qytetarët serbë të cilët sipas përvojës sime ata me të vërtet duan të kenë një jetë në Kosovë e cila është paqësore, produktive dhe ku ata e dinë që mund të jetojnë të sigurt me familjen e tyre.
Siguria ekzistuese e Kosovës dhe shumë njerëzve brenda saj garantohet në një mënyrë shumë bazë më prezencën e KFOR-it. Në të cilën neve jemi plotësisht të zotuar dhe luan një rol tejet të rëndësishëm në vend dhe do të vazhdojë kështu”, ka thënë ai në FIVE të Dukagjinit.
Krahas kësaj, ambasadori Hargreaves foli gjithashtu për sulmet që kanë ndodhur në territorin e Kosovës, përfshirë sulmin e terrorist në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ambasadori britanik kërkoi gjithashtu që Serbia të sjellë Milan Radojiçiqin para drejtësisë për rolin e tij në sulmin në Banjskë dhe theksoi angazhimin e Britanisë për të mbështetur sigurinë e Kosovës përmes pranisë së KFOR-it.
“Me të vërtetë dy sulmet ishin të rënda, sulmi në Banjskë ka qenë qartë një sulm shumë i rëndë dhe ngjarje destabilizues, mbi territorin e Kosovës. Ngjashëm edhe sulmi në kanalin Ibër-Lepenc dukej që këto qenë një sulmi rëndë ndaj infrastrukturës qenësore, të dyja kanë qenë shumë të renda. Ne nuk kemi ndonjë qasje të privilegjuar për sa i përket informatave se kush ka qenë përgjegjës për cilindo nga këto dy sulme. Kemi qenë shumë të qartë me Serbinë se ata duhet të sjellin Radojçiqin para drejtësisë të përgjigjet për rolin e tij dhe njerëzve që kanë punuar me të në sulmin e Banjskës, ne përherë i bëjmë thirrje Serbisë që atë dhe bashkëpunëtorët e tij t’i thërrasin në përgjegjësi.
Po ashtu, ne jemi mbështetës i Policisë së Kosovës dhe të tjerëve që po hetojnë sulmin ndaj kanalit por nuk kam informacione të privilegjuara se kush ka qenë përgjegjës për sulmin. Por duhet të mbështesim këto hetime dhe duhet t’i bëjmë thirrje Serbisë të bashkëpunojë me këto hetime”, ka shtuar ambasadori britanik.