Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit të tij në Athinë, është pritur nga homologu i tij grek, Konstantin Tassoulas.
Konjufca e ka falënderuar Tassoulas për përkrahjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë etapave shtetndërtuese, si dhe i ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve.
Kryetari i Parlamentit grek, Tassoulas, ka falënderuar Kryetarin Konjufca për diskutimet konstruktive të delegacionit nga Kosova dhe e ka siguruar se vendi i tij do të vazhdojë qasjen konstruktive ndaj Kosovës.
Dy kryeparlamentarët kanë diskutuar gjithashtu lidhur me zhvillimet globale dhe janë dakorduar se përpjekjet për ruajtjen e paqes duhet të intensifikohen.
Kryeparlamentari grek mbrëmë ka shtruar darkë për homologët e tij, pjesëmarrës në punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që po mbahen në Greqi.