Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, njëherazi deputet i zgjedhur i legjislaturës së ardhshme, Albert Kinollin, si dhe përfaqësues të komunitetit rom.
Në kumtesën për media theksohet se Konjufca nga mysafirët pranoi Mirënjohje për Kontributin për Çështjen e Komunitetit Rom, të cilët i falënderoi dhe ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së angazhimit të përbashkët.
Ai shtoi se duhet ta shtojmë edhe më tutje përkushtimin dhe angazhimin tonë për zhvillim gjithnjë e më të madh shoqëror dhe ekonomik në Kosovë, me përfshirje të gjithanshme e të gjithëmbarshme, në promovim të vazhdueshëm të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, përkundër të gjitha formave të përjashtimit.
Po ashtu, Konjufca solli në vëmendje se përfshirja e komunitetit rom, si dhe të gjithë komuniteteve joshumicë në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike është interes jo vetëm i këtyre komuniteteve, por i të gjithë shoqërisë sonë me aspirata të përparimit.