Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Bllagaj të Pejës, ku një person dyshohet se u ka shkaktuar telashe prindërve të tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar nëna e të dyshuarit, e cila ka thënë se i biri fillimisht ka filluar një konflikt verbal me babain e tij dhe në momentin që ajo ka ndërmjetësuar mes tyre, është sulmuar fizikisht nga 19-vjeçari.
Ajo më pas kishte arritur që të fshihet në njërën nga dhomat e shtëpisë dhe pas një kohe është paraqitur në stacion policor për të denoncuar rastin.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, 19-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.