Konfirmohet vizita e kreyparlamentarit Konjufca ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, shoqëria civile e kundërshton

Pak muaj pas vizitës së Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiut, në Hagë do të shkojë edhe një udhëheqës i lartë shtetëror.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka konfirmuar se në fund të këtij muaji do të vizitojë ish-udhëheqësit e UÇK- së, që po mbahen në paraburgim në Hagë nga Gjykata Speciale.

Por, për dallim nga bashkëpartiakja e tij, ministrja e drejtësisë, Konjufcën kanë pranuar ta takojnë të gjithë të akuzuarit.

RTV Dukagjini ka mësuar nga burime të afërta me takimin se ish-liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli do ta presin në takim kryeparlamentarin Konjufca.

Thaçi e të tjerët pranojnë që Konjufca t’i vizitojë në Hagë
Ilir Kërçeli, shef i Kabinetit të kryetarit të Kuvendit, shkurt ka konfirmuar vizitën e Konjufcës në Hagë, pa dhënë detaje.

“Kryeparlamentari do t’i vizitoj të gjithë. Arsye specifike nuk ka, ata janë qytetarë të vendit tonë”, ka thënë Kërçeli.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerëson se vizitat e politikanëve dhe personave që kanë pushtet në Republikën e Kosovës mund të ketë karakter negativ në proceset gjyqësore të atyre që mbahen në Hagë

“Në aspektin se si e sheh prokuroria dhe gjykata speciale vizitat e politikanëve dhe personave që kanë pushtet në Republikën e Kosovës mund të ketë karakter negativ në proceset gjyqësore të atyre që mbahen në Hagë. Mjafton të shihen arsyetimet e Gjykatës qoftë në rastin e Thaçit qoftë në rastin e Veselit, kërkohet vazhdimi i paraburgimit sepse këta persona konsiderohet qe kanë ende autoritet”, ka deklaruar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Ndërsa, avokati Armend Shkoza, e konsideron jo parimore që bartësit e funksioneve politike të vizitojnë personat që janë në një proces gjyqësor.

“Bartësit e funksioneve publike nuk do të konsiderohej parimore e as ligjore të vizitonin personat që janë në një proces gjyqësor. Mirëpo, me vetë faktin e specifikës së kësaj gjykate dhe natyrës së gjykimit, për personat që po procedohen pranë kësaj gjykate është e nevojshme përkrahja institucionale”, ka thënë avokati Shkoza.

Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së dhe të Kosovës, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, i ka takuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Next Post