Katër muaj pas raportimit lidhur me tentimin për të ndërhyrë në tenderin në ushqim në FSK, mediumi nacionale ka arritur ta fitojë rastin në Agjencinë për Informim dhe Privatësi me Ministrinë e Mbrojtjes.
Si rezultat, Ministria ka dërguar të dyja vendimet lidhur me tenderin e ushqimit.
Bazuar në dy vendimet, konfirmohet raportimi se vendimi për ta klasifikuar si sekret tenderin ishte nënshkruar nga zv/ministri Shemsi Syla, e ai u anulua me nënshkrim të ministrit Maqedonci. Nacionales sjell detaje.
Më 10 maj 2024, përderisa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nuk ndodhej në Kosovë, për të u nënshkrua një vendim i rëndësishëm. Zëvendësi i Maqedoncit, Shemsi Syla, kishte vendosur që tenderin për shërbime me ushqim në kazermat e FSK-së të kthehej në dokument të klasifikuar.
Ashtu siç kishte raportuar nacionale muaj më parë, kjo u konfirmua tek tash pasi Ministria e Mbrojtjes u obligua nga Agjencia për Informim dhe Privatësi që t’i dërgojë të dyja vendimet.
Vendimi për ta kthyer këtë tender në sekret, ishte nënshkruar nga Shemsi Syla, për ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë e bënë duke u mbështetur në një Rregullore për Prokurimin për Shërbime të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
“Komisioni për identifikimin e kontratave (projekteve) të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë të MM-së për vitin 2024 (i emëruar sipas vendimit me nr. prot: 4131, dt. 28.12.2023), me shkresën me nr. ref 6/47/2024 të datës 07.02.2024 ka dorëzuar/propozuar Listën e rishikuar të projekteve për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë për vitin 2024, dhe atë bazuar në ndryshimet e ndodhura në buxhet, të specifikuara në kërkesën e datës 05.02.2024 të adresuar tek kryesuesi i këtij komisioni. Pas rishikimit të listës së propozuar nga Komisioni përkatës dhe arsyetimeve të dhëna, është miratuar Lista e këtyre pojekteve me Vendimin bazë me nr. prot; 45, datë 12.02.2024. Bazuar në vlerësimet dhe rekomandimet e fundit të datës 29.03.2024 me numer references 6/158/2024 të Komisionit për identifikimin e kontratave (projekteve) të prokurimit për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë të MM-së për vitin 2024, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin që Ministria e Mbrojtjes ia ka dërguar nacionales pas betejës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.
Tre muaj më pas, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte vendosur që ta anulojë vendimin e zëvendësit të tij, Shemsi Syla. Arsyet në fillim nuk diheshin, por më vonë Nacionale raportoi se kjo ishte bërë gjatë kohës që ministri Maqedonci ishte jashtë vendit.
Tendenca ishte që këtë tender ta fitonte një kompani e cila favorizohej nga zv/ministri Syla, ashtu siç kishte raportuar aso kohe Nacionale. Megjithatë, tentimi iu dështoi.
Me vendimin e ri që e kishte nënshkruar Maqedonci, tenderi për ushqimin në kazermat e FSK-së ishte kthyer në procedura të rregullta.
“Hiqet nga lista e projekteve për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë së MM-së për vitin 2024 projekti me nr. rendor 8 “Shërbimet me ushqim (përgatitje dhe servim) në kazermat e FSK-së” dhe i njejti kalon në procedura të rregullta sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). 2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi nr. prot: 182, datë 10.05.2024”, thuhet në vendim.
Pas krejt këtyre zhvillimeve, ministri Maqedonci vendosi që kazermat e FSK-së të jenë vende ku do të punësohen kuzhinierë, e të njëjtit do të bëjnë ushqim për ushtarët, pa pasur nevojë për tenderë të ri.
Historia e skandalit me ushqimin në FSK
Katër muaj më parë, u publikua hulumtime lidhur me tendencën që tenderi për ushqim në FSK t’i jepej një kompanie të caktuar. Si rezultat, Nacionale kishte siguruar informata se ky tender ishte klasifikuar me një vendim të nëshkruar nga zv/ministri Shemsi Syla. Madje, sipas raportimit kjo ishte bërë tinëz ministrit Maqedonci.
Vetë Shemsi Syla në ato ditë, e kishte mohuar se e ka nënshkruar një vendim të tillë, duke u demantuar hapur tash me vendimet e dërguara nga vetë Ministria e Mbrojtjes.
“Të gjitha janë spekulime, insinuatë. Jo asesi”,kishte thënë ai.
“Për të gjitha procedurat si janë shkuar mund t’i merrni dokumentet janë e drejtë ligjore që të kërkoni në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe do të bindeni për procedurë të rregullt. Nuk e di ku e kanë gjetur këtë term sekret shtetëror, me këta njerëz që shpifin e degradojnë integritetin njerëzor e institucional, njerëzit që punojnë në institucione, do të merremi me Prokurorinë”, u deklarua ai.
Maqedonci kishte pranuar në disa intervista se mund të ketë edhe mospajtime brenda Ministrisë, por që theksoi se nuk do të lejojë ndërhyrjen e askujt.
“Mund të them me përgjegjësi të plotë se unë jam dera, e cila është e hapur, për të gjithë ata që kanë çështje rreth Ministrisë së Mbrojtjes, dhe nuk ka nevojë, dhe nuk do të ketë nevojë, por edhe nuk do të lejoj, që dikush tjetër të jetë dera e Vetëvendosjes apo cilësdo strukturë, brenda Ministrisë së Mbrojtjes”, kishte thënë Maqedonci.