Sportingu i Lisbonës është gati t’i ofrojë Cristiano Ronaldos mundësinë për t’u rikthyer në klub këtë verë.
37-vjeçari thuhet se po mendon të largohet nga Manchester United për shkak të shqetësimeve mbi ambiciet e klubit, transmeton Gazeta Express.
Dhe, sipas “The Sun”, Sportingu ka qenë në kontakt me Ronaldon. Klubi portugez thuhet se ka shprehur interesim për ta rikthyer atë në klub.
“Sporting e di se Ronaldos i pëlqen të fitojë trofe. Kjo duket shumë larg për Manchester Unitedin për momentin dhe koha po ikën për Ronaldon. Pra, ku ka mënyrë më të mirë për të përfunduar karrierën e tij sesa të kthehet në shtëpi dhe të luajë në Portugali. Është një ligë e fortë dhe një mënyrë jetese e shkëlqyer. Zyrtarët e lartë i bëjnë të ditur Ronaldos se janë të interesuar nëse ai dëshiron të largohet nga United”, citon gazeta të ketë thënë një burim.
Sulmuesi portugez i ishte bashkuar Sportingut në moshën 12-vjeçare, teksa debutimin e tij në ekipin e parë për gjigantin portugez e kishte bërë në vitin 2002.
37-vjeçari pas një viti ishte transferuar te Manchester Unitedi, teksa më vonë edhe te Real Madridi e Juventusi.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” me “Djajtë e Kuq” ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023.