Prokuroria thotë se “Stella Consulting”, ku aksionar është publicisti Veton Surroit, ka dhënë 410 mijë euro ryshfet për leje të ndërtimit në Brezovicë, ndërsa kjo kompani thotë se “pergojimi i kompanisë dhe i aksionerëve është kundër interesave të Kosovës sepse shkatërron imazhin e Kosovës”.
Kompania “Stella Consulting”, ka dalë me një reagim, pas pretendimeve të prokurorisë se ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, mori mbi 400 mijë euro ryshfet nga kjo kompani, në këmbim të lejeve të ndërtimit të hoteleve dhe vilave në Brezovicë.
Në reagimin e kompanisë, të publikuar në Kallxo, thuhet se “Stella Consulting” nuk zhvillon vetë aktivitetin e ndërtimtarisë, por kontrakton kompani ndërtuese. Ata thonë se çdo kontratë është bërë në bazë të proceseve të prokurimit dhe janë të ligjshme.
“Kompania “Stella Consulting” nuk zhvillon vetë në Kosovë ndonjë aktivitet ndertimi por i gjithë ndërtimi behet nëpërmjet kompanive ndërtuese ekzistuese në Kosovë dhe si pasojë nuk ka fituar dhe nuk pret të fitojë asgjë nga aktiviteti i ndërtimit dhe të gjitha shumat e investuara deri tani apo edhe ato që do të investohen rrjedhin dhe do rrjedhin në kanalet e ekonomisë së shëndetshme të Kosovës duke i sherbyer rritjes ekonomike të saj”.
Duke renditur vlerat, që kompania pretendon se i ka dhe të mirat që pretendon se ia sjell Kosovës, “Stella Consulting” – në pronësi të Gentjan Sulës, që ka 70 për qind të aksioneve dhe Veton Surroit, që ka 30 për qind të aksioneve – thirret si investitor i huaj dhe e do trajtimin në Kosovë, si kompani e tillë.
Javën e kaluar, me urdhër të Prokurorisë, është kryer një aksion, që fokus kishte komunën e Shtërpcës. Është arrestuar ish-kryetari i saj, Bratislav Nikoliq, zyrtarë komunalë dhe pronarë të kompanive.
Nikoliq dyshohet se ka marrë rreth 1.3 milionë ryshfet, për të dhënë leje në Brezovicë. Mbi 400 mijë euro dyshohet se i ka marrë nga kompania “Stella Consulting”.