Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka miratuar si e bazuar ankesën e Trepçës ’89 për ndeshjen e Kupës së Kosovës kundër Feronikelit ’74, duke e regjistruar takimin e 1/8 së finales me rezultat zyrtar 0:3 në favor të ekipi mitrovicas.
Sipas njoftimit, Feronikeli ’74 kishte aktivizuar në lojë gjashtë lojtarë që nuk janë të regjistruar konform rregullores për regjistrim, statusin dhe tranferimin e lojtarëve, shkruan Demokracia.com.
Armend Blakqorri, Donat Hasani, Fitim Susuri, Adem Maliqi, Endrit Baholli dhe Shpresim Zogu ishin futbollistët që ishin aktivizuar e që nuk ishin të regjistruar nga klubi drenicas.
Ndryshe, Feronikeli ’74 e kishte fituar ndeshjen 1:0 gjatë 90 minutave të zhvilluara në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas kundër Trepçës ’89.
VENDIMI dhe ARSYETIMI i plotë:
Miratohet si e bazuar – Ankesa e Klubit të Futbollit “Trepça ’89 nga Mitrovica dhe ndeshja e 1/8 të Kupës së Republikës së Kosovës ndërmjet KF Feronikeli ‘74 – KF Trepça ’89, e përfunduar me rezultat 1:0 për KF Feronikeli ‘74, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Trepça ‘89 nga Mitrovica.
A r s y e t i m
Komisioni i Garave në seancë e vet të mbajtur me datë 08.02.2023, regjistroi ndeshjet e 1/8 të Kupës së Republikës së Kosovës me rezultat të arritura në fushë , përveç ndeshjes së zhvilluar në Drenas ndërmjet KF Feronikeli ‘74 dhe KF Trepça ‘89 për shkak se KF Trepça ‘89 ka ushtruar ankesë, përkitazi me parregullësinë e paraqitjes së disa lojtarëve në këtë ndeshje nga ana e KF Feronikeli ‘74, konkretisht :
Se, KF Feronikeli ‘74 ka aktivizuar në lojë (6) gjashtë lojtarë që nuk janë të regjistruar konform rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve dhe atë:
- Armend Blakqorri ,nr.001764M90, nr. fanelle 12
- Donat Hasani , nr. 000933M , nr. fanelle 99
- Fitim Susuri , nr. 000506M99 , nr. fanelle 10
- Adem Maliqi nr.002199M97 , nr. fanelle 14.
- Endrit Baholli , nr. 002035M00, nr. fanelle 30
- Shpresim Zogu , nr.002282M99, nr. fanelle 17
Gjatë administrimit të ankesës si dhe të gjitha shkresave në lëndë u konstatua se:
Për Komisionin e Garave sipas nenit 71 Paragrafi 1 të Regullores së Garave janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën .
Se, sipas protokollit zyrtar, lojtarët e sipërshënuar kanë qenë të shënuar në protokolin zyrtar dhe të aktivizuar në këtë ndeshje, kështu që kanë bërë shkelje të Nenit 26 pika 1 të Rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve, nenit 29 të Propozicionene të Garave, nenit 77, Paragrafi 1 dhe 2 të Rregullores së Garave, si dhe nenin 58 të Rregullores Disiplinore, Paragrafi 1, nën b. Lojtari është paraqitur në mënyrë të parregullt nëse ka luajtur për klubin për të cilin nuk është i regjistruar. Të gjitha këto theksime u vërtetuan dhe u konfirmuan nga Komisioni i FFK-së, për statusin e lojtarëve në FIFA- Conect – dhe deri më datë 04.02.2023 kur është zhvilluar ndeshja , nuk ka njoftim – publikim zyrtar për regjistrimin e këtyre lojtarëve, prandaj , ankesa e KF.- Trepca-89 miratohet si e bazuar dhe ndeshja KF Feronikeli ‘74 – KF Trepça ‘89 e përfunduar me rezultat në fushë 1:0 për Feronikelin ‘74, regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Trepça ‘89 .