Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së arritur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë Veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja ka synim normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve dhe BE-ja njoftoi se themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të dialogut në Ohër.
“BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Beograd-Prishtinë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialog për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, sot kanë krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i zbatimit të saj. Themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër, Maqedonia e Veriut, siç përcaktohet në aneksin e zbatimit”, thuhet në kumtesën e BE-së.
Sipas njoftimit, Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori, Petar Petkoviq.
“Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”, thuhet në njoftim.