Komandanti i Misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, sot ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, dhe një delegacion të Asamblesë Franceze. Takimi u zhvillua në Shtabin e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.
Gjatë takimit, Barduani ka ndarë pikëpamjet e tij për situatën aktuale të sigurisë në rajon dhe ka nënvizuar përpjekjet e KFOR-it për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për mbështetje ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Barduani shfrytëzoi mundësinë për të falënderuar ambasadorin Guérot për kontributet e Francës në KFOR dhe në stabilitetin rajonal, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se misioni vazhdon të zbatojë mandatin e tij, i cili është bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të paanshëm për të gjithë qytetarët dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë.
Po ashtu, KFOR-i është në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për të përmbushur rolet përkatëse në ruajtjen e sigurisë.