Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në takim Kryevëzhguesen e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, deputeten franceze të Parlamentit Europian, Nathalie Loiseau në Shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë.
Siç njofton KFOR, ata kanë diskutuar pikëpamjet për tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën, situatën e stabilitetit rajonal dhe përpjekjet e vazhdueshme të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në mbështetjen e zgjedhjeve transparente dhe demokratike në Kosovë.
“Gjeneralmajor Barduani nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia, feja apo përkatësia politike”, thuhet në njoftim.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.