Zënkat mes të rinjve kosovarë janë shumë të shpeshta. Ato madje shpesh herë përfundojnë me ofendime, sharje, kërcënime e sulme fizike ndaj njëri-tjetrit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Prishtinë, ku pas një mosmarrëveshjeje dy vajza kishin përfunduar në Polici.
Sinjali mëson se ndonëse ato u liruan në procedurë të rregullt, me të dalë nga stacioni policor plasi sherri sërish. Ka qenë një 24-vjeçare e cila ka kërcënuar vajzën me të cilën ka telashe me vdekje dhe iu vërsul ta sulmojë.
Sipas burimeve e dyshuara fillimisht i është drejtuar duke e sharë në gjuhë angleze e më pas i ka thënë se do e gjejë ku është dhe do e mbysë.
Kjo ka bërë që 24-vjeçarja të arrestohet sërish, por kësaj here ndaj saj është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.