Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë. Nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar thonë se nuk ka pritje në kufi dhe se situata është e qetë.
Shumë qytetarë nga Kosova janë nisur sot drejt Shqipërisë për të festuar 28 Nëntorin, që shënon datën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Nga pamjet shihet se qytetarët po presin gjatë për shkak të fluksit të madh të veturave që po qarkullojnë në hyrje-dalje të Shqipërisë.
Gazeta Express ka kontaktuar Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar për t’i pyetur rreth situatës në kufi, mirëpo të njëjtit kanë thënë se situata është e qetë.
“Nuk ka pritje, situata është e qetë, janë dy-tri vetura që po qarkullojnë momentalisht, nuk ka kolona.”, kanë thënë nga kjo Qendër.
Kujtojmë se ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri Bledi Çuçi ka thënë se, para nisjes së sezonit të verës, qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri do të jetë pa ndalesa.
Ai në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan tha se kjo nuk është pjesë e marrëveshjeve, por për këtë ka dakordim mes dy kryeministrave.
Çuçi ka sqaruar se qarkullimi në kufirin tokësor mes Kosovës dhe Shqipërisë do të monitorohet me kamera.