Pas më shumë se dy vjetësh që nga konfirmimi i aktakuzës, në Hagë më 3 prill nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, sërish u deklaruan të pafajshëm për dhjetë pikat e aktakuzës.
Në ditën e parë të deklaratave hyrëse, prokurorët e specializuar prezantuan rastin e tyre duke argumentuar se katër të akuzuarit kishin themeluar dhe udhëhiqnin një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që thuhej se kishte për shënjestër kundërshtarët, përfshirë këtu ata që i konsideronte “tradhtarë”, “kolaboracionistë” e mbështetës dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ata thanë se këto veprime ishin “një luftës speciale” kundër personave që i konsideronin “kolaboracionistë dhe tradhtarë”.
Prokuroria tha se do të dëshmojë se të akuzuarit kanë “personalisht përgjegjësi” për krimet për të cilat ngarkohen.
Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ish-krerët e UÇK-së ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm, ku mbanin poste të larta drejtuese.
“Ata, të katër, pa asnjë dyshim ishin udhëheqësit parësorë të UÇK-së dhe për këtë janë vlerësuar dhe nderohen. Por, kishte edhe një anë tjetër më të errët të udhëheqjes së tyre dhe ky është objekt i gjykimit që po fillon sot”, tha ai.
Sipas Whiting, provat e Prokurorisë së Specializuar do të tregojnë se të akuzuarit “mbështetën dhe zbatuan një politikë, e cila vinte në shënjestër ata persona, që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionalistë – shpesh mbështetur në asgjë pos lidhjeve me institucionet serbe – si dhe personat e perceptuar jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së përkohshme të Kosovës”.
Prokuroria argumentoi se në mesin e kundërshtarëve përfshihen edhe personat e lidhur me LDK-në, ata me përkatësi etnike apo rome.
“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit gjatë gjithë periudhës së aktakuzës synonte burgosjen, keqtrajtimin, torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, tha prokurori i specializuar.
Në kohën kur nisi seanca, rreth 3 kilometra larg ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë të Holandës– që njihen edhe si Gjykata Speciale – shqiptarë të Kosovës e diasporës organizuan një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjatë seancës që zgjati pothuajse pesë orë, prokurorët e specializuar paraqitën një sërë provash në formë të komunikatave, intervistave, dokumentarëve dhe blloqeve personale të shënimeve të disa prej të akuzuarve.
Udhëheqësi i hetuesve në ZPS, Ward Ferdinandusse, paraqiti një sërë komunikatash të lëshuara nga Shtabi i Përgjithshëm, që tha se dëshmojnë se të akuzuarit kishin shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së.
Duke cituar komunikatën numër 27, ai u shpreh:
“Aty thuhet, po citoj: Është hera e fundit që ua tërheqim vërejtjen të gjithë bashkëpunëtorëve të pushtuesit që të tërhiqen nga rruga e tyre e turpshme, përndryshe dora hakmarrëse e popullit do të godasë pamëshirshëm. Këtu mbyllet citimi. Pamëshirshëm, porosia është e qartë. Personat e akuzuar si kolaboracionistë do të viheshin në shënjestër dhe do të goditeshin”.
Prokurorët e specializuar thanë se njëri prej të akuzuarve, Jakup Krasniqi, ka pranuar se përmes komunikatave, UÇK-ja i ka paralajmëruar se “do t’i vrasë” (kolaboracionistët).
Gjatë seancës, prokurorët argumentuan se kanë prova që UÇK-ja kishte një strukturë të organizuar, për dallim nga pretendimet e mbrojtjes së nuk ka pasur një gjë të tillë.
Prokuroria tha se Thaçi ishte drejtor politik, Veseli udhëhiqte drejtorinë e zbulimit, Krasniqi ishte zëdhënës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së.
Në seancë, prokuroria lëshoi edhe një pjesë të intervistimit të Selimit nga prokurorët e specializuar, para se ai të arrestohej më 4 nëntor 2020, ku ai dëgjohej duke konfirmuar këto poste që mbanin të katër të akuzuarit.
Se UÇK-ja ka pasur hierarki, sipas prokurorisë, mund të dëshmohet edhe nga një libër i shkruar nga Krasniqi, i cili ka thënë se “hierarkia duhej respektuar”.
Sipas prokurorit Whiting, motivi kryesor i kryerjes së krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “fitimi i pushtetit në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.
Disa herë gjatë ditës së parë të gjykimit, prokurorët theksuan se ky nuk është gjyq ndaj UÇK-së, por vetëm ndaj këtyre katër të pandehurve.
Prokuroria tha se gjatë kohës që e mbulon aktakuza, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë kishte pasur mbi 40 qendra të ndalimit, ku në mënyrë të paligjshme ishin ndaluar mbi 400 persona.
Sipas prokurorisë, të paktën 102 viktima ishin vrarë dhe mbi 20 konsiderohen të zhdukur.
Sipas organit të akuzës, shumica e viktimave ishin shqiptarë.
Prokurori James Pace tha se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi për këto krime.
“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë”, tha ai.
Ai dha edhe detaje të tjera lidhur me kushtet në të cilat pretendohet se mbaheshin të ndaluarit, duke thënë se ato ishin kushte të rënda “saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”.
Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në qendra të tjera panë të ndaluar të tjerë teksa rriheshin e merreshin në pyetje.
Në disa qendra të ndalimit, sipas Pace, viktimat ishin subjekt i rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli, disa të ndalurve në Llapushnik “ua shkulën thonjtë me darë” dhe persona të tjerë u detyruan të shikonin të ndaluarit e tjerë duke u rrahur.
Prokuroria tha se anëtarët ose mbështetësit e LDK-së dhe të udhëheqësit të saj në atë kohë, Ibrahim Rugova, konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së dhe në disa raste janë etiketuar me termin “kolaboracionistë”.
Sipas prokurorit Pace, Thaçi dhe Sabit Geci i cilësuan personat e ndaluar në Jabllanicë si “rugovistë” dhe kërkuar që ata të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova.
Pace pretendoi se në Jabllanicë, të akuzuarit se “kanë vrarë të paktën tre persona” dhe një person ende konsiderohet i zhdukur.
Prokurorët argumentuan se gjatë bastisjeve të shtëpive të Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë gjetur blloqe me shënime të emrave të “kolaboracionistëve” apo të personave “të ndaluar në mënyrë të paligjshme”.
Ajo që u gjet në shtëpinë e Selimit, sipas prokurorit Alan Tieger, kishte emra “kolaboracionistësh”.
“Në bllokun e shënimeve ka informacione rreth çështjeve logjistike dhe operacionale dhe ushtarake. Brenda të njëjtit bllok shënimesh referencë pas reference përmenden kolaboracionistë, të cilët zakonisht identifikohen me emër. Disa prej tyre konsiderohen si të dyshimtë sepse ata konsiderohen se janë pranë personave të tjerë që janë të dyshimtë”, tha Tieger.
Në përmbyllje të paraqitjes së rastit nga ZPS-ja, prokuroria Clare Lawson, tha se organi i akuzës ka prova të mjaftueshme, përfshirë edhe “qindra faqe të sekuestruara nga shtëpitë e të akuzuarve”, që sipas saj, do të dëshmojnë “qëllimin e përbashkët” të të akuzuarve.
“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike në mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së”, tha ajo.
Në ditën e parë të gjykimit, përveç ZPS-së, fjalën hyrëse e kishte edhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Në mesin e 140 viktimave, sipas Laws, ka shqiptarë, serbë, romë, myslimanë, katolikë dhe ortodoks.
“Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.
Laws tha se viktimat shqiptare kanë qenë subjekt “i trysnisë” që “të mos flisnin dhe të turpëroheshin”, ndërkaq viktimat serbe, janë detyruar që të largohen nga Kosova dhe të jetojnë në mërgim.
“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.
Në ditën e dytë të gjykimit, më 4 prill, ekipet mbrojtëse do të kenë fjalën e tyre hyrëse për rastin që kanë ndërtuar.
Aktakuza ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor 2020, por u bë publike një muaj më vonë.
Pas njoftimit për konfirmimin e aktakuzës, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan më 4 nëntor 2020, ndërkaq një ditë më vonë u arrestuan edhe Veseli e Thaçi. Që atëherë, ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Aktakuza i ngarkon ata për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ZPS-ja ka thënë se ka 312 dëshmitarë, por jo domosdo të gjithë do të ftohen që të japin dëshminë para gjykatës. Mbrojtja po ashtu do të paraqesë dëshmitarët e saj, përfshirë disa dëshmitarë ndërkombëtarë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015