Premtimet për ulje të çmimit të produkteve bazike ushqimore mbetën vetëm “fjalë” për elektoratin e gjerë nga të cilët dikur kërkonte vota, kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Ai gjatë kohës sa ishte në opozitë, më 2014-ën, premtonte se me ardhjen në pushtet të tij do të uleshin çmimet e shportës si: vajit, sheqerit, qumështit dhe bukës.
“Për gjërat elementare ushqimore, buka, mielli, vaji, sheqeri, kripa, qumështi dhe arsimi në përgjithësi – këto do t’i përjashtojmë nga TV-shja dhe kësi soji shporta e konsumatorit kosovar do të jetë edhe më e rëndë për nga pesha edhe më e lirë për nga çmim”, deklarohej Kurti para elektoratit.
Vetëm sot qytetarët u ankuan se çmimi i bukës dhe kafesë ka pësuar rritje, ku një bukë nga 50 cent sa ishte këtë kohë ka filluar të shitet në disa furra deri në 80 cent, ndërkaq kafeja në kryeqytet raportohet të ketë kaluar nga çmim standard prej 70-1 euro në çmim prej 2 euro.
Kurti në studiot televizive tregonte edhe çmimet fikse se sa do të zbriten gjërat elementare jetësore për konsumatorët.
“TV-shja bëhet 0% për gjërat elementare. Buka me lëvizjen vetëvendosje nga 36 cent, do të bëhet 31 cent – sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent, bëhet në 78 cent”, ishte deklaruar kreu i VV-së Kurti.
Ndërkaq, bazuar në të dhënat e ASK-së indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin mars 2025, krahasuar me muajin mars 2024. Inflacioni mujor ishte 0,8% në muajin mars 2025.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: kafe, çaj dhe kakao (17,1%); perime (8,7%); mish (8,3%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (7,6%); qumësht, djathë dhe vezë (7,1%); pemë (6,7%); pije alkoolike (6,3%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (6,2%); shërbime hoteliere (5,8%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (5,4%); këpucë (5,4%); shërbime financiare (5,2%); shërbime ambulantore (5,2%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (4,8%); kujdes personal (4,3%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (3,7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (3,2%); duhan (2,9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2,4%); veshje (2,4%); bukë dhe drithëra (2,1%); pajisje shtëpiake (1,9%); shërbime për transport (1,8%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (1,3%); dhe gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (0,9%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,5 për qind në IHÇK.
Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.
(-6,7%); si dhe karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-5,0%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,6 për qind) në IHÇK.
Partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti Vetëvendosje nuk po arrin numrat e nevojshme për t’i themeluar institucionet përkundër që sot ishte tentimi i tetë nga ta – kështu qytetari po vazhdon të dëmtohet nga çmimet e papërballueshme që ndryshojnë thuajse çdo muaj.
Kurti atë botë thoshte se gjërat elementare ushqimore do të përjashtohen nga TV-shja dhe se shporta e konsumatorit do të jetë më e rëndë nga pesha e me lirë nga çmimi.