Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka cilësuar shqetësues takimin e dyshuar mes shefit të inteligjencës, Petrit Ajeti dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani.
Paparaci, ka raportuar të dielën për një takim të realizuar mes udhëheqësve të shefit të AKI-së me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, të ndodhur në ditën e fundit të marsit 2023.
Aty, sipas informacioneve që posedon Paparaci, shefi i inteligjencës i kishte dorëzuar kryegjyqtares kushtetuese një memo me elemente të dyshuara shantazhuese për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
KMDLNj-ja ka thënë se nëse vërtetohen veprimet e shefit të inteligjencës, ky rast paraqet rrezik për sigurinë fizike dhe shtetërore.
Në një reagim për media të mërkurën, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, ka alarmuar për shqetësim lidhur me sigurinë juridike, fizike dhe shtetërore.
“Nëse del të jetë i vërtetë pohimi i Paparacit për ‘luftën’ e dy strukturave kryesore të shtetit, Gjykatës Kushtetuese, si kulm dhe adresa e fundit e sigurisë juridike për qytetarët e Kosovës dhe AKI-së, si eminenca gri e sigurisë fizike dhe shtetërore atëherë, qytetarët e Kosovës duhet të jenë shumë të brengosur në duart e kujt e kanë lënë sigurinë juridike dhe sigurinë fizike sikur edhe ate shtetërore”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas të dhënave që posedon Paparaci, memo-ja përmbante të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë të përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Paparaci ka siguruar një dokument me anë të së cilit janë informuar partnerët perëndimorë lidhur me këtë takim që duket tepër serioz dhe shqetësues. Informata ka dalë nga AKI-ja, institucion ky i drejtuar nga Ajeti.
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Gjykata Kushtetuese nuk e kanë mohuar mbajtjen e takimit mes udhëheqësve të dy institucioneve.
AKI-ja, në një reagim për media të dielën, i ka hedhur poshtë informatat e Paparacit. I ka cilësuar “të pavërteta”.
Megjithatë, AKI-ja nuk është deklaruar për realizimin e takimit mes Ajetit dhe Caka-Nimanit. Nuk është deklaruar as për qëllimin e takimit, por është shprehur se “bashkëpunon me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.”
“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë hedh poshtë dhe i cilëson të pavërteta pretendimet e artikullit të publikuar”, thuhet në deklaratën e AKI-së. “AKI, në bazë të detyrave të përshkruara me ligj, bashkëpunon me të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pretendimet e shkrimit në fjalë, provojnë që të mashtrojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të dëmtojnë kredibilitetin e AKI-së”.
Informatat e raportuara nga Paparaci i ka mohuar publikisht edhe Gjykata Kushtetuese, në një deklaratë për media të dielën në mbrëmje.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mohon pretendimet e shkrimit të publikuar nga portali Paparaci.com”, thuhet në deklaratën e Gjykatës Kushtetuese.
Sikurse AKI-ja, edhe Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të deklarohet konkretisht lidhur me informatat e raportuara në shkrimin e Paparacit.
“Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ajo gjithashtu, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata e Gjykatës Kushtetuese.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
Ditë më parë, portali Paparaci ka informuar se ekziston një dokument me anë të të cilit janë informuar partnerët perëndimorë për një takim tepër shqetësues dhe serioz midis drejtuesit të AKI-së, Petrit Ajeti dhe Gresa Cakës, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me ç’rast shefi i inteligjencës i ka dorëzuar një memo kryegjyqtares kushtetuese, Gresa Caka që përmban të dhëna për gjyqtarët kushtetues se kinse janë përfshirë në krim dhe po shantazhohen nga jashtë me qëllim që të merret një vendim për ta rrëzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ky takim ishte mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me 31 mars 2023 në kushte të tensionimit të lartë ku, sipas Paparacit kishte elemente shantazhi nga drejtuesi i AKI-së, Petrit Ajeti. Takimi ishte mbajtur dy ditë pasi Kanal 10 kishte raportuar se mandati i presidentes rrezikohet nëse mandati i deputetit të Iniciativa Rome, Fadil Gashi, del të jetë jo – legjitim. Për ta kundërshtuar legjitimitetin e mandatit të deputetit Gashi, ishte parashtruar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës më 13 prill 2021 nga Veton Berisha dhe Albert Kinolli, përfaqësues të partive të komunitetit rom dhe egjiptian.
Në ndërkohë u krijua një debat që merrej me fatin e presidentes, Vjosa Osmani që ishin të sigurt se Gjykata Kushtetuese do ta shpallë jo – legjitim mandatin e deputetit Gashi dhe, si pasojë, presidentja do të rrëzohej sikur që u aktivizuan forcat mbrojtëse të presidentes që këtë parashikim të disa mediave në Kosovë e njëjtësonin me politikat e Serbisë. Ky ishte argumenti i tyre që, në formën më të butë mund të konsiderohet si sulm ndaj mendimit ndryshe. Po në të njëjtën kohë u përfol një koalicion i mundshëm si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bisedimet që zhvilloheshin thuaja disa muaj. Kur pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ankesën e partive minoritare, gjërat u heshtën ashtu edhe parashikimet. Qartazi diçka po vlonte brenda Gjykatës Kushtetuese. Përfolej se do të jetë një vendim kompromisi ku, as presidentja nuk do të rrëzohej dhe as që të të kishte ndryshime në skenën politike. Si mundësi e që si praktikë edhe mund ta vendosë Gjykata Kushtetuese, deputeti Berisha që i ishte marrë mandati pa të drejtë, do të kompensohej për kohën e mandatit të kontestuar, ndonëse mandati i deputetit është ende aktiv sikur që mungon edhe baza ligjore për kompensim të këtij lloji.
Pasi artikulli i Paparacit pati jehonë të madhe në opinion, reaguan edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës sikur edhe AKI, gjë që nuk sqaruan thuaja asgjë përveç se e mbuluan me një shtresë makiazhi që, sigurisht është arsyetim logjik dhe i pritshëm i çdo shërbimi informativ, jo vetëm në Kosovë, por jo edhe ai i Gjykatës Kushtetuese.
Nëse del të jetë i vërtetë pohimi i Paparacit për “luftën“ e dy strukturave kryesore të shtetit, Gjykatës Kushtetuese, si kulm dhe adresa e fundit e sigurisë juridike për qytetarët e Kosovës dhe AKI-së, si eminenca gri e sigurisë fizike dhe shtetërore atëherë, qytetarët e Kosovës duhet të jenë shumë të brengosur në duart e kujt e kanë lënë sigurinë juridike dhe sigurinë fizike sikur edhe ate shtetërore.
KMDLNj e kupton se për opinionin nuk mund të bëhen publike të gjitha informatat që ndërlidhen me sigurinë e shtetit mirëpo nuk po e kupton pse për këtë ngjarje, ende vetëm hipotetike, nuk kanë reaguar komisionet përkatëse parlamentare që e kanë për mandat mbikëqyrjen e këtyre dy institucioneve, me rëndësi të veçantë apo vendimtare për funksionimin e shtetit.
Qytetarët duhet të informohen për fatin e tyre, mbrojtjen juridike dhe kushtetuese të tyre dhe mbrojtjen fizike nga ndërhyrjet e jashtme si dhe ato të brendshme ku AKI ka rol jetik. Është e drejtë e njeriut të informohen sepse, në atë mënyrë e ruajnë besimin për institucionet që e kanë këtë përgjegjësi; Gjykata Kushtetuese dhe AKI. Edhe në Gjykatën Kushtetuese sikur edhe në AKI ka pasur emërime dhe shkarkime të motivuara politikisht, sidomos në AKI, prandaj lindin këto dyshime të cilat, nëse nuk përgënjeshtrohen nga institucionet përgjegjëse që i mbikëqyrin, atëherë më nuk mund të flitet vetëm për dyshim por për të vërtetën.
KMDLNj kërkon që të sqarohet për opinionin nëse vërtetë ky takim i datës 31 mars 2021 midis kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka dhe drejtuesit të AKI-së, Petrit Ajeti është ashtu siç është raportuar në artikullin e Paparaci apo është në pyetje një e vërtetë edhe më e rëndë se kjo e Paparacit.
Gjykata Kushtetuese dhe AKI kanë mandat të qartë dhe të përcaktuar me ligj dhe nuk mund të dalin jashtë atij mandati. Gjykata Kushtetuese ka mandat të vërtetojë nëse një vendim, emërim apo ligj është në kundërshtim ose pajtim me Kushtetutën e Kosovës kurse AKI ka përgjegjësi ligjore ta bëjë verifikimin e përshtatshmërisë apo ta jep kartelën e sigurisë për gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve tjera të rëndësishme për sigurinë e vendit kurse, a janë të përfshirë gjykatësit e GJK në krime apo janë të shantazhuar, është përgjegjësi e organeve hetimore; policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit dhe gjykata përkatëse!