Ushtrues i Detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se po të kishte seriozitet nga politikanët kosovarë Ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë do të ndryshohej me votim në Kuvendin e Kosovës.
Sepse sipas tij, me ndryshimin e këtij Ligji do të përmirësohej edhe imazhi i Kosovës.
I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit”, Klinaku theksoi se me ndryshimin e këtij Ligji do të ndiqeshin të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë.
“Ligjet e Kuvendit të Kosovës ndryshohen më shumicën e thjeshtë, duhet të jenë 61 deputetë në seancë që të votojnë dhe me 31 vota për, ndryshohet Ligji i Dhomave të Specializuara. Po do të kishte seriozitet nga politikanët tanë, nga deputetët e Kuvendit, do të mund ta përmirësonin edhe imazhin e Kosovës me ndryshimin e atij Ligji sepse, do ta rregullonin edhe në preamabulë ndoshta do ta rregullonin që të ndiqen të gjitha krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë”, tha ai.
Por që ai shprehet skeptik sa i përket qëndrimit të ndërkombëtarëve lidhur me ndryshimin e këtij Ligji, sepse siç tha ai, po të bëhej Ligji që i gjykon edhe krimet serbe, do të prishej Gjykata Speciale.
“Dhe për këtë edhe pse unë kam bindje dhe diçka që bëhet legale ndoshta do ta kundërshtojnë ndërkombëtarët, sepse po të bëhej një Ligj që i gjykon të gjitha krimet, unë mendoj që prishet Gjykata Speciale krejt, sepse s’janë të interesuar këta që t’i ndjekin krimet e luftës që i ka bërë Serbia pushtuese dhe serbët që kanë bërë masakra s’kanë qenë fare të interesuar”, tha Klinaku.
Teksa ka kritikuar pozitë e opozitë për qasjen e tyre ndaj Gjykatës Speciale, sepse siç tha ai, as s’kan dashur ta ndryshojnë e as nuk duan ta ndryshojnë këtë Ligj.
“Kanë mujt së paku me bë një Gjykatë që i ndjek të gjitha krimet, por është çëshja që kanë qenë servile të bashkësisë ndërkombëtare, qoftë ata që e kanë themeluar, e qoftë këta që s’kanë dashtë me e zhbë, sepse këtu hynë të gjithë edhe ata që kanë qenë më herët edhe ata që janë në pushtet as s’kanë dashtë me ndryshu Ligj, as nuk duan të ndryshojnë Ligj”, shtoi ai.