Ushtrues i detyrës i kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, thotë se kjo organizatë nuk ka bërë përpjekje ta minojë punën e Gjykatës Speciale, ashtu siç thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, por vetëm ka kërkuar që Dhomat e Specializuara të Kosovës të bëhen të ligjshme dhe të ndjekin të gjitha krimet e kryera gjatë luftës se fundit në Kosovë.
Sipas raportit të paraqitur nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe OVL e UÇK-së kanë bërë përpjekje që ta minojnë mandatin e Gjykatës Speciale.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit…ne si organizatë e veteranëve por edhe presidenti Thaçi nuk kemi kërkuar asgjë tjetër përveç që kemi kërkuar që t’i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale nëse e vazhdon Kuvendi sepse ne e dimë që Kuvendi do ta vazhdojë. Ne vetëm kemi tregu që ka skadua mandati i Speciales, mandati 5 vjeçar që ka pas me Kushtetutë. Iniciativa ligjore kanë qenë para kësaj kërkese, ne kemi kërkuar nga Kuvendi që Gjykata Speciale të merret me të gjitha krimet, të gjykohen edhe serbët. Vet krijimi i kësaj Gjykate është që momentalisht është e paligjshme dhe anti-Kushtetuese dhe çdo gjë është kërkuar nga ne është që të bëhet ë ligjshme dhe të ndjek të gjitha krimet në Kosovë”, u shpreh ai.
Në një intervistë për Ekonimia Online, Klinaku tha se Prokuroria Speciale po bën lojëra ndaj udhëheqësve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, duke e stërzgjatur procesin gjyqësor.
“Ishte si konferenca paraprake, ne kemi shumë pakënaqësi për shkak se Prokuroria Speciale nuk u dorëzon ende materiale avokatëve mbrojtës gjë që për ne duket e paarsyeshme pasi po mendojnë vetëm të stërgjatin seancat, në këto seanca Prokuroria është duke bërë lojëra të vazhdueshme”, u shpreh ai.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka marrë 39 kërkesa lidhur me identifikimin e personit që dokumentet e tyre hetimore i çonte në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Klinaku thotë se ky njoftim për ta ka qenë i paqartë.
“Është e paqartë, nuk e di çka janë ato kërkesa, nëse është e saktë ajo çka thotë Prokuroria atëherë është e lehtë pasi ato kanë ardhur nga Prokuroria nga Haga, s’kanë pasur nga të vijnë”, tha ai.
“Ne po na duket e paarsyeshme kjo stërzgjatje e procesit, te pas parasysh që gjithçka ka qenë mediale. Është dashtë ta hetojnë veten në Hagë. S’kanë pasua nevojë të merren me ne pasi ne vetëm e kemi njoftuar opinionin që Prokuroria Speciale në Hagë ka bashkëpunuar me Prokurorinë serbe dhe të gjitha dëshmitë për të akuzuarit i ka marrë nga Serbia”, shtoi ai.
Tutje, Klinaku thotë se Gjykatës Speciale nuk i intereson çështja e drejtësisë, por vetëm kanë për qëllim t’i arsyetojnë paratë që i shpenzojnë.
“Nuk po ju ngutet, ata po e bëjnë qëllimisht pasi nuk iu intereson fare çështja e drejtësisë, vetëm se këto procedura i kanë zgjatë pasi kanë paga të majme edhe atje, dhe kanë për të arsyetuar milionat që i shpenzojnë si Bashkësia Evropiane edhe të tjerët. Kanë bërë lojëra ne nuk kemi i kërkuar ato ata vet na kanë thirr. Unë i kam kërkuar që ata t’i sjellin në zyre aty ku i kanë marr. Pastaj më kanë telefonua prapë dhe më kanë thënë që nuk mund t’i sjellim, duhet të vini ju në Fushë-Kosovë për t’i marrë te Zyra e Specializuar që është nën kompleksin e Eulex-it. Pastaj ne e kemi angazhuar avokatin Tomë Gashin që të shkojë t’i marrë pajisjet e sekuestruara. Unë e kom njoftua opinionin dhe pastaj kam kërkuar një sqarim nga Prokuroria që të jap sqarim me atë se çka ka gjet tek ne, ata nuk kanë dhënë raport”, tha ai.
“Nuk kemi kurrfarë informate nga ta për këto pajisje, çudia më e madhe se ata s’kanë bërë hetim fare. Në seancën avokatët mbrojtës kërkuan se si është çështja e këtij hetimit ata nuk japin përgjigje. Përgjigja e tyre është se i kemi kamerat brenda dhe jashtë, ne për këtë i kemi thënë edhe publikut që s’ka pas çka të fshihet sepse çdo gjë ka qenë e monitoruar nga kamerat”, u shpreh Klinaku për EO.