72 policë të rinj nga radhët e komunitetet joshumicë kanë nisur punën në fillim të kësaj jave në veri të vendit. Por, me të marrë detyrën e re, përdorues serbë të rrjeteve sociale e nisën një fushatë linçuese ndaj policëve të rinj nga ky komunitet.
Pesë prej tyre iu janë publikuar fotografitë dhe emrat në platformën ruse, Telegram, teksa është paralajmëruar edhe publikimi i fotografive dhe emrave të të tjerëve.
E pas fushatës linçuese kanë ardhur reagime të krerëve të shtetit, kryetarëve partiakë e ambasadorëve të huaj në Kosovë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka dënuar kërcënimet e policëve të rinj serb në veri të vendit, gjersa thekson se kërcënimet e tilla vijnë nga Serbia dhe grupe kriminale.
Osmani në një postim në Twitter shkruan se kjo fushatë duhet të ndalet.
“Dënoj kërcënimet ndaj oficerëve të Policisë së Kosovës nga Serbia dhe grupet e saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike.
Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë me policët tanë, ndërsa ata me guxim shërbejnë për një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, shkruan ajo.
I condemn the threats on ?? Police officers by Serbia &its criminal groups. Our police is professional & multiethnic. This campaign must be stopped and the perpetrators must be brought to justice. We stand with our police officers while they bravely serve for a safer ?? for all.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) July 26, 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur të papranueshme kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë nga komuniteti serb, të cilët morën detyrën në fillim të kësaj jave dhe u vendosën në pjesën veriore të vendit.
Në një konferencë për media të mërkurën, Kurti ka thënë se faktori ndërkombëtarë duhet të dënojë zëshëm çfarëdo fushate të organizuar linçimi e frikësimi ndaj policëve nga komuniteti joshumicë.
Ndërkaq, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me linçimet që u janë bërë së fundmi policëve të rinj serbë në veri të Kosovës.
Haradinaj përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se këto janë të papranueshme dhe përpjekje për të sabotuar de-përshkallëzimin dhe qetësimin e situatës.
“Presionet dhe kërcënimet ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera në veri, që janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, janë të papranueshme dhe përpjekje për të sabotuar depërshkallëzimin dhe qetësimin e situatës. Pjesëtarët e komuniteteve pakicë, përfshirë këtu edhe serbët, duhet të lejohen të lirë në realizimin e të drejtave të tyre qytetare”, ka shkruar Haradinaj.
E për fushatën linçuese ndaj policëve të rinj serb në veri kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.
Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar lidhur me siç ka thënë, raportimet në media se policët e rinj të Kosovës nga komuniteti serb po marrin mesazhe kërcënuese.
I am very concerned about media reports regarding threatening messages against newly deployed Kosovo Police Officers from non-majority communities.
Any kind of intimidation are unacceptable, and I stress the importance Kosovo Police reflect and represent entire Kosovo population.— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) July 25, 2023
Përmes një postimi në Twitter, ai e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.
“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton si dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka shkruar Pietro Barbano.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka reaguar gjithashtu ndaj fushatës kërcënuese që ka filluar në rrjetet sociale, kundrejt qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u punësuan në Policinë e Kosovës.
Hovenier ka thënë se kjo që po bëhet është e papranueshme.
“Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Fully share these concerns. Threats & intimidation to individuals serving for the benefit of all of Kosovo’s citizens are completely unacceptable. As I’ve said before, the Kosovo Police exists to serve all communities in Kosovo & its makeup should reflect Kosovo’s diversity. https://t.co/rC4A38V8gM
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) July 26, 2023
Ndërkaq, ambasadori gjerman Jorn Rohde, ka thënë se kjo fushatë frikësimi është shqetësuese dhe duhet të ndalet menjëherë.
“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet e pakicës boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde.
Fully agree. This intimidation campaign is absolutely disconcerting. It should stop immediately. The new policemen from ??’s Bosniak, Roma, Serbian and Turkish minority communities deserve all the support especially from the municipalities and the citizens where they are deployed https://t.co/gMOT3l4ia6
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) July 26, 2023
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott i ka quajtur të papranueshme kërcënimet ndaj policëve të rinj serb.
Abbott ka shkruar se frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan të kontribuojnë për shtetin e tyre, janë të papranueshme.
“I ndaj plotësisht këto shqetësime. Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të reflektojë diversitetin e Kosovës dhe të jetë në gjendje t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Frikësimet dhe kërcënimet ndaj atyre që duan të kontribuojnë për shtetin e tyre, janë të papranueshme”, ka shkruar ai.
Ndryshe, 72 policë të rinj nga radhët e komunitetet joshumicë kanë nisur punën në fillim të kësaj jave në veri të vendit.
45 nga këta policë janë nga komuniteti serb.
Me të marrë detyrën e re, përdorues serbë të rrjeteve sociale e nisën një fushatë linçuese ndaj policëve të rinj nga ky komunitet.
Pesë prej tyre iu janë publikuar fotografitë dhe emrat në platformën ruse, Telegram, teksa është paralajmëruar edhe publikimi i fotografive dhe emrave të të tjerëve.
Në nëntor të vitit të kaluar, policët nga radhët e komunitetit serb u larguan nga ky institucion. Dorëheqja e tyre e pasoi suspendimin nga detyra të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, shkaku i refuzimit të tij për ta vënë në zbatim vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin në RKS të veturave që posedonin targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia.
Pas këtyre veprimeve, Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas./Telegrafi/