Sanije Krasniqi, ndërroi jetë mbrëmë në moshën 67-vjeçare pas një aksidenti në trafik në fshatin Samadrexhë të Suharekës. Ajo nuk mori lëndime të rënda si pasojë e ndeshjes me një veturë tjetër, por dyshohet se ndërroi jetë shkaku i infarktit që pësoi nga shqetësimi i madh që përjetoi, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për vdekjen e saj e kanë dhënë tashmë edhe familjarët, të cilët përmes njoftimit mortor kanë bërë me dije se e ndjera do të varroset sot në orën 18:00 në varrezat e fshatit.
“Me pikëllim ju njoftojmë se ka ndërruar jetë bashkëshortja e Murat Krasniqit (Sanie Fetiu-Krasniqi) nga Samadraxha. Varrimi i të ndjerës bëhet sot më datën 30.06.2023 në orën 18:00 në varrezat e fshatit”, thuhet në njoftim.
– Advertisement –
Kujtojmë se e gjithë ngjarja ndodhi pasi, dy kryefamiljarët M. dhe bashkëshortja e tij, Sanija, teksa po udhëtonin me veturën e tyre, janë aksidentuar me një veturë tjetër, të cilën po e ngiste, Milazim Bugari, tashmë i arrestuar nga Policia.
Bugari, që ishte në gjendje të dehur, dhe bashkëshorti i të ndjerës pas aksidentit janë fjalosur mes vete, teksa sipas Policisë ai pati kontakt edhe me viktimën, për të cilën thonë se e shtyu.
Por sipas informacioneve që posedon Sinjali, e të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga organet e rendit, i dyshuari dhe viktima nuk kanë pasur asnjë kontakt fizik mes vete, por vdekja e të ndjerës dyshohet se erdhi si pasojë e shqetësimit të madh që përjetoi nga e gjithë kjo situatë.
51-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, por intervistimi i tij ka qenë i pamundur për shkak se ai ishte në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
– Advertisement –
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.