Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, duket se po mbyll agjencinë kryesore të Uashingtonit për ndihmë ndërkombëtare, në kuadër të një morie masash për shkurtime të shpenzimeve qeveritare.
Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike.
Në krye të nismës për mbylljen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është Elon Musk, i emëruari i Trumpit për ulje të shpenzimeve qeveritare.
Musk pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.
Punëtorët e USAID-it kanë pranuar një njoftim se selia e agjencisë në Uashington do të jetë e mbyllur për personelin, më 3 shkurt, “me vendim të udhëheqjes së agjencisë”, kanë raportuar mediat amerikane, si CNN dhe Associated Press, duke cituar disa burime të veta.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Ambasadën amerikane në Prishtinë për të kuptuar nëse një kërkesë e njëjtë i është bërë edhe stafit të USAID-it në Prishtinë, por nuk ka marrë përgjigjje deri në publikimin e tekstit.
Vetë Musk e ka përshkruar USAID-in si “organizatë kriminale”, dhe ka thënë se është “koha që ajo të shuhet”, ndonëse agjencia menaxhon dhjetëra miliarda dollarë që miraton Kongresi amerikan si ndihmë jashtë kufijve të SHBA-së.
Një grup i demokratëve në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë i ka dërguar më 2 shkurt një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me veprimet e administratës Trump, e cila është duke shënjuar një agjenci që, sipas tyre, është themeluar “për të garantuar që mund të dërgojmë ekspertizë zhvillimore dhe ndihmë përtej kufijve shpejt, sidomos në periudha krizash, për t’i arritur synimet tona për siguri kombëtare”.
Departamenti amerikan i Shtetit, nën udhëheqjen e Rubios, ka marrë vendim, më 24 janar, për t’i ngrirë frondet e reja për pothuajse të gjitha programet për asistencë të huaj, në kuadër të zotimeve të Trumpit për të pasur çdo program në linjë me politikën e tij të jashtme.
Rubio, pasi ka marrë detyrën, muajin e kaluar, ka thënë se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justufikohet me përgjigje ndaj tri pyetjeve të thjeshta: A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fortë? A e bën Amerikën më të begatë?”.
Në urdhrin ekzekutiv të Trumpit është bërë thirrje për pauzë 90-ditore në gjithë ndihmën, me qëllim të vlerësimit të efikasitetit dhe “konsistencës që ka ndihma me politikën e jashtme amerikane”. Urdhri, megjithatë, i mundëson Rubios që të bëjë përjashtime të vogla për “programe specifike”.
Grupet humanitare dhe organizatat joqeveritare në gjithë botën kanë ngritur shqetësime për fatin e USAID-it, pas urdhrit ekzekutiv të Trumpit.