Shtrimi i një rrugine me kubëza pranë shpellës asketore të Shën Pjetrit, në Korishë të Prizrenit, i ka mjaftuar Dioqezës Rashkë-Prizren të tundë këmbanat për gjoja rrezikim të trashëgimisë ortodokse në Kosovë. Duke u ankuar në punimet joprofesionale, kjo Dioqezë, që funksionon në kuadër të Kishës Ortodokse Serbe, ka kritikuar “paaftësinë” e institucioneve lokale në Kosovë në qasjen e tyre rreth trashëgimisë së mbrojtur. Por, një reagim si ky me sa duket po i paraprin krijimit të një dosje anti-Kosovë në vigjilje të mbledhjes së radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Col Mehmeti
Sikundër ka ndodhur edhe viteve të kaluara në vigjilje të mbledhjes së radhës të Këshillit të Sigurimit, edhe tani është dendësuar ofensiva diplomatike e Serbisë.
Këtë e ka bërë me njërën nga çështjet më të ndjeshme — të raportuar shpesh në Kombet e Bashkuara — siç është mbrojtja e trashëgimisë fetare ortodokse.
Shtrimi me kubëza i rrugës që çon në shpellën asketike të Shën Pjetrit, në Korishë, janë bërë shkas që Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe ta problematizojë si rrezik për vendin e shenjtë historik që daton nga shekulli i 13-të.
“Dëme të ndjeshme”
Përmes një njoftimi për media, kjo Dioqezë ka ngritur shqetësimin se punimet e fundit, përfshirë gërmimi dhe shtrimi i një rruge të gjerë që çon te shpella e Shën Pjetrit, “kanë shkaktuar dëme të ndjeshme në integritetin arkeologjik dhe historik të asketores”.
“Themelet e këtij kompleksi mesjetar janë prekur, duke ngritur shqetësime se edhe trazimet më të vogla natyrore, të tilla si shirat e rrëmbyera apo dridhjet e vogla, mund të çojnë në rrëshqitje dheu dhe shembje të plotë të vendit të shenjtë”, thuhet në njoftim.
Kjo dioqezë, më tej, ka përkujtuar se Asketorja e Shën Pjetrit të Korishës mbrohet zyrtarisht si njëra nga pesëdhjetë Zonat e Veçanta të Mbrojtura sipas Ligjit për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta në Kosovë.
Duke u ankuar për freskat e dëmtuara që, sipas dioqezës, paraqesin një qëndrim çnderues ndaj këtij vendi të shenjtë, në njoftim i është bërë vend edhe kritikës për paaftësinë e institucioneve lokale të Kosovës.
“Në vend se ta tregojnë një nivel themelor të qytetërimit dhe respektit për kulturën dhe monumentet e krishtera, ata po bëjnë punime joprofesionale, duke e shkatërruar pakthyeshëm trashëgiminë që bart domethënie për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë”, thuhet në njoftim.
Punime nga kompani të palicensuara
Tutje, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka ngritur gishtin kundër Komunës së Prizrenit dhe Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm, duke e akuzuar se ka kryer aktivitete të paligjshme pa dijeninë apo miratimin e Kishës Ortodokse serbe.
“Natyra joprofesionale e punimeve (nga një kompani e palincensuar për punime të tilla të ndjeshme në vendndodhjet e trashëgimisë), përfshirë makineri të rëndë dhe shpërndarje të pakujdesshme të materialeve gjithandej, demonstron mungesë tronditëse të angazhimit të ekspertëve të trashëgimisë, thekson mungesën e bashkërendimit me Kishën Ortodokse serbe dhe zbatimin e Këshillit mbikëqyrës”.
Dosje në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit
Në të kaluarën njoftimet alarmuese, shpesh me ekzagjerime, kanë paraprirë mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës.
Çështja e trashëgimisë së kishave e manastireve ortodokse vazhdimisht është problematizuar nga diplomacia e Beogradit.
Në mbledhjen e vjetshme, në prill, delegacioni serb, ndër të tjerash, kishte alarmuar për gjoja rrëmbimin e dhunshëm të pronës së Kishës Ortodokse Serbe dhe cenimin e zonave të mbrojtura rreth kishave e manastireve ortodokse.
Sado që Këshilli i Sigurimit ende nuk e ka njoftuar datën e mbledhjes së radhës për Kosovën, viteve të fundit Këshilli ka mbajtur mbledhje dy herë në vit, zakonisht në prill dhe tetor.
Kosova në vetmi diplomatike
Kjo mbledhje e gjen Kosovën në një gjendje frustrueshëm të rëndë diplomatike.
Përveç izolimit ndërkombëtar dhe sanksioneve të dyfishta nga ShBA dhe BE, vendi ka bërë pak e hiç përparime sa i përket anëtarësimit në organizata evropiane e ndërkombëtare.
Hiç më larg se dje, Komiteti Politik i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës hodhi poshtë kërkesën e Kosovës që t’i jepet statusi i mysafirit të veçantë në këtë asamble.
Kjo sprapsje pason dështimin e diplomacisë së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, anipse për hir të këtij procesi kishte pranuar më në fund të zgjidhte kontestin pronësor në favor të Manastirit të Deçanit.
Në anën tjetër, Qeveria serbe, përkatësisht e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën, ka zhvilluar kohëve të fundit një serë takimesh nga Gjeneva deri në Beograd ku ka alarmuar për gjoja diskriminimin e serbëve të Kosovës.
Me një gjuhë pak-a-shumë të njëjtë ka qenë edhe Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe udhëheqësja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, e cila në janar të këtij viti ka kundërshtuar veprimet e Kosovës për mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia.
“Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm është e shqetësuar për pasojat e këtyre mbylljeve në jetën e përditshme të individëve, veçmas atyre nga bashkësitë joshumicë, që varen drejtpërdrejtë nga këto institucione. Veprime të tilla të njëanshme rrezikojnë edhe më shumë gërryerjen e besimit mes bashkësive dhe autoriteteve të Kosovës”, ishte thënë asokohe në reagim.