Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka paralajmëruar se bullizimi deri në heshtje absolute i agjencive të pavarura dhe mediave është një ndër shkallët kryesore të shkatërrimit të demokracisë.
Teksa tha se ka shkruar më herët për demokracinë dhe vdekjen e saj, ajo u shpreh se ndërhyrjet e vazhdueshme në drejtësi po konfirmohen çdo ditë me gjuhën e sotme të akterëve të pushtetit.
Kjo ndërlidhje e saj merr shkas arrestimin e drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe sulmet e zyrtarëve të lartë të LVV-së ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Prandaj sipas saj, Qeveria Kurti po tenton t’i kontrollojë mediat që “edhe ato të bullizohen deri në heshtje”, transmeton Paparaci.
“Çka ka mbetur? Mediat. Jam e bindur që shumë shpejt do të nisin tendenca nga pushteti të kontrolleve absurde ndaj mediave që edhe ato të bullizohen deri në heshtje. Edhe më e bindur jam që e GJITHË kjo do të kamuflohet përmes rrugëve “institucionale”. Qofsha gabim”, shtoi ajo.