Me anë të një deklarate për shtyp, KFOR-i deklaron se bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës në momentin e arrestimit.
Kjo, sipas tyre, erdhi pasi e kanë shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes, së siç thuhet, ndalimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor dhe pasi kanë biseduar me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe atyre të autoriteteve serbe.
“Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in. Ua rikujtojmë të dyja palëve për përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”, thuhet në kumtesën për media.
Po ashtu, KFOR-i shton se i rikujton të gjitha palëve që vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
“U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”.
Tutje në deklaratë thuhet se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij si reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë.