Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar nga protestuesit para objektit komunal në Zveçan që të tërhiqen për t’ia liruar rrugën një veture të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që të largohet nga vendi i ngjarjes.
Megjithatë, siç raporton portali serb në veri Kontakt Plus Mitrovica, qytetarët serbë kanë refuzuar kërkesën e KFOR-it.
Përgjigje të njëjtë ata i kanë kthyer pak më parë edhe Goran Rakiqit, kryetarit të Listës Serbe.
Ata ende qëndrojnë në kërkesën e tyre se nuk do të largohen derisa të gjithë pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen deri në jug të Ibrit.