Kryetarët e komunave të Kosovës po vazhdojnë takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe disa ministra përkatës.
Në këtë takim që në fillim ka qenë i hapur për publikun kryetarët e komunave I kanë parashtruar shtatë kërkesat tyre ndaj ekzekutivit.
“Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.
Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.
Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.
Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.
Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.
Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat”, tuhet dnër të tjera në njoftimin e AKK’së
Njoftimi i plotë:
KËTO JANË KËRKESAT E KOMUNAVE QË KËRKOJNË ZGJIDHJE NGA QEVERIA E KOSOVËS
Fjala e plotë e Kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Agim Aliu në takimin e Kryetarëve të Kosovës me Kryeministrin e Kosovës z.Albin Kurti dhe me disa nga ministrat e Qeverisë.
I nderuar Kryeministër Kurti;
Të nderuar Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës;
Të respektuar Kryetarë të Komunave dhe përfaqësues të Komunave të Kosovës;
Zonja dhe zotërinj!
Fillimisht më lejoni që në emër të Kryetarëve të Komunave të Kosovës mbledhur në Asociacionin e Komunave të Kosovës, t’ju shpreh falënderimin për përgjigjen tuaj pozitive në ftesën tonë për këtë takim, që si dy nivele të pushtetit, të diskutojmë bashkërisht me Qeverinë e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat po përballemi vazhdueshëm, e që po përcillen për një kohë të gjatë, duke besuar se si të tilla ato meritojnë përgjigjen e adresimin e duhur institucional.
Të nderuar të pranishëm!
Komunat, përmes Asociacionit të Komunave, vazhdueshëm shqetësimet e tyre, i kanë paraqitur në formë zyrtare, me shkresa e rekomandime konkrete, për të cilat kemi marr zotimet se do të marrim përgjigje adekuate, duke i adresuar si të tilla, por që deri më tani, nuk kemi regjistruar ndonjë sukses domethënës, ndërkohë, problemet janë aty, të pazgjidhura dhe të tilla do të mbesin pa mbështetjen tuaj.
Nisur që nga çështja tejet e diskutueshme e tatimit në pronë, si dhe mundësia e faljes së 100 eurove përmes ligjit, komunat janë gjendur në situata të pakëndshme karshi qytetarëve sepse dihet se një kompetencë e tillë nuk i takon komunave, e ku përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës më 30 Janar 2023 u jemi drejtuar ju z. Kryeministër dhe Ministrit të Financave, me kërkesën për pezullimin e vendimit të vitit 2022 për rivlerësimin e pronave, duke kërkuar që pagesa për tatimin në pronë, marr parasysh shumë faktorë të vështirësive ekonomike, të paguhet nga qytetarët sikurse në vitin 2022.
Edhe në këtë rast, përveç qytetarëve, edhe vet ne drejtuesit e institucioneve jemi në pritje të veprimeve pasrendëse mbi këtë temë, tejet të rëndësishme për ne si institucione lokale.
Në këtë kuptim, Kryetarët e Komunave të Kosovës përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, kundërshtojnë bartjen e përgjegjësisë së faljes së tatimit në pronë tek komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në Komuna.
Të nderuar të pranishëm!
Në temën e dytë e që paraqet bosht të funksionimit të administratës lokale, janë edhe procedurat e rekrutimit në shërbimin publik, që në kushte aktuale, pas pamundësisë së zhvillimit të procedurave rekrutuese për një kohë të gjatë, gjë që ka shkaktuar vështirësi në funksionimin e shërbimeve komunale, kemi shprehur shqetësimet tona, në rrugë zyrtare e në takime tona.
Si Kryetarë të Komunave të Kosovës, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks të veçantë lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësi.
Në këtë temë, kujtojmë se duhet bashkërenduar veprimet mes nesh, për më të mirën për shërbimin publik.
Sa i përket të hyrave vetanake, janë të theksuara pakënaqësitë e komunave në raport me këtë temë, për të cilat kemi reaguar në mënyrë urgjente, përmes shkresës së datës 17 Mars 2023 drejtuar ju z. Kryeministër, Kryetarit të Kuvendit dhe ministrit të financave, përmes së cilës kemi kërkuar që të hyrat vetanake të komunave t’u barten komunave në pajtim me vendimmarrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pra ashtu që të gjitha fondet e pashpenzuara të komunave, të mbeten, të barten tek buxhetet përkatëse komunale e që kujtojmë se një gjë e tillë është plotësisht në harmoni ligjore e në kuadrin e gjerë të kompetencave menaxhuese të nivelit lokal.
Thënë shkurtazi, kërkesë e Kryetarëve të Komunave është që urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.
Vërejtjet e pakënaqësitë tona të nderuar të pranishëm, i kemi paraqitur edhe për ndarjet buxhetore përkatësisht përfshirjet në projekte kapitale, duke insistuar në ndarjen e drejtë e të barabartë të buxhetit për komunat, parime këto që i shërbejnë qytetarëve të vendit tonë, zbatuar përmes projekteve konkrete që kanë komunat.
Komunat gjithashtu një nga sfidat kryesore kanë edhe mungesën e pronave komunale. Shumë nga pronat që gjenden në territorin e komunës përkatëse, kanë pronësinë apo menaxhohen nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit dhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës.
Me shfuqizimin e vendimit të Qeverisë paraprake, përmes së cilës pronat e menaxhuara nga AKP-ja i kalonin nën menaxhim komunave, në nivelin lokal është krijuar një pamundësi e plotë për zhvillimin e çfarëdo lloj projekti kapital, nisur që nga projektet më minore deri tek ato më madhoret- jetike për t’i ofruar zgjidhje qytetarëve.
Ajo që e vështirëson edhe më shumë këtë gjendje është se pas vendimit të qeverisë paraprake, në shumë nga këto prona, kanë filluar projekte të caktuara, por që janë pezulluar me vendime gjykate, për shkak të shfuqizimit të vendimit të lartcekur të Qeverisë, duke i kthyer sërish ato prona në menaxhimin e AKP-së, respektivisht Agjencisë së Pyjeve.
Pra, përveç vonesave me vite për projekte të caktuara, dëmi komunave i shkaktohet edhe në pikëpamje të investimit që kanë nisur, ngaqë shumë prej tyre, kanë mbetur në pritje të zgjidhjes së statusit pronësor nga niveli qendror, procedurave që marrin kohë e shpeshherë të pamundura të shpronësimit, duke u detyruar kështu komunat të paguajnë kosto shtesë, për të realizuar atë investim.
Edhe në pikëpamje të mbrojtjes së pyjeve, dihet mirëfilli se komunat kanë rol në këtë drejtim si fjala vjen mbrojtja e pyllëzimi, por që menaxhimi, zotërimi me hapësirat pyjore edhe pse gjenden në territorin e komunës përkatëse, nuk bëhet nga autoritetet e komunës përkatëse por nga Agjencia qendrore e pyjeve, çka pamundëson zhvillimin e çfarëdo projekti nga komunat, madje edhe krijimin e një parku – hapësire të gjelbër për qytetarët.
Pra, thënë shkurtazi, Komunat gjenden në situatë tejet të pavolitshme sa i përket realizimit të investimeve publike, kjo për faktin se nuk kanë prona nën menaxhimin komunal, andaj kjo përkthehet qartazi në pamundësi të realizimit të investimeve, rrjedhimisht pamundësi për të ofruar atë për çfarë kanë nevojë qytetarët.
Në këto kushte, komunat trajtohen njëlloj sikurse qytetarët në aspektin e qiradhënies, marrjes në shfrytëzim afatgjatë të pronave të këtyre agjencioneve qeveritare, pavarësisht se projektet tona janë në interes publik dhe i kontribuojnë ruajtjes dhe rritjes së vlerës së pronës së caktuar.
Në këtë pikëpamje, qëndrimi dhe kërkesa e Kryetarëve të Komunave të Kosovës është që komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
Gjithashtu, të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale e po ashtu një nga nevojat kyçe për mundësimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik për të cilën parashtrojmë kërkesë është që të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat.
Të nderuar të pranishëm!
Sa i përket Grantit të Katërt për komunat, duke ditur rëndësinë e tij dhe përmbushjen e nevojave që kanë komunat në pikëpamje investive, presim që si i tillë të rikthehet në agjendë legjislative, ashtu që me themelimin e tij të krijohet barazi financiare për Komunat e Kosovës.
Të nderuar të pranishëm!
Janë të shumta temat që kemi ngritur si Asociacion i Komunave të Kosovës, karshi Qeverisë së Republikës së Kosovës, si fjala vjen kërkesa për buxhet shtesë për komunat që të përballohen kostot financiare si rrjedhojë e Kontratave Kolektive e të cilat paguhen nga buxhetet komunale, ndonëse jemi të vetëdijshëm për ndërprerjen e Kontratës Kolektive sektoriale, por që mbeten obligimet të shumta në buxhetet komunale.
Po kështu, vazhdon të mbetet pothuajse e parealizueshme, mundësia për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale sipas ligjit për ndërmarrjet publike, problematikë që gjithashtu e ngritëm në takimin e vitit të kaluar.
Sfiduese dhe e rëndësisë jetike për qytetarët, është edhe furnizimi me barna nga lista esenciale, përgjegjësi kjo e Ministrisë së Shëndetësisë, por që deri më tani, jemi të gjithë dëshmitarë që kjo mbetet sfiduese për të gjitha komunat.
Komunat kanë kërkuar gjithashtu koordinimin e përbashkët në plotësim-ndryshimin e projektligjit për prokurimin publik, sepse aktualisht kjo bazë ligjore po shkakton telashe e vonesa në nivelin lokal në kryerje të shumë punëve.
Fare në fund, I nderuar Kryeministër, të nderuar Ministra e Kryetarë Komunash, jemi sot këtu për të avancuar bashkëpunimin tonë, për të marr përgjigje meritore, përfundimtare, për t’i diskutuar bashkërisht këto shqetësime, këto problematika që po ngecin punën e veprimet tona në nivel lokal, andaj të dy krahëve të qeverisjes lokale e qendrore, na takon që t’i japim status tjetër kërkesave tona, duke i zgjidhur ato përfundimisht në shërbim të qytetarëve.
Përmbledhtazi e shkurtazi, edhe nga takimi që patëm këto ditë me kryetarët e komunave, më lejoni të nderuar të pranishëm t’ju vë në dijeni se dolën këto qëndrime e këto kërkesa parashtruar për Qeverinë si:
1. Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.
2. Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.
3. Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.
4. Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.
5. Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
6. Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.
7. Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat.