Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka bërë të ditur vlerën e koeficientit të pagave.
Kryeministri Kurti ka thënë se koeficientit për këtë vit është 105,ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm planifikohet të jetë 110, shkruan Reporteri.net.
Kurti tha se për çdo vit do të shqyrtohen mundësitë buxhetore dhe do të bëhet ndryshimi i koeficientëve sipas atyre mundësive.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.
Duke e llogaritur me vlerën e koeficientit, mësimdhënësi i shkollës së mesme do të marrë rreth 609 euro pagë, ndërkaq, ai i shkollës fillore, do të paguhet rreth 588 euro.
Një edukator do të ketë pagë 535.5 euro.
Profesori i rregullt 1302 euro.
Paga e mjekëve sipas përllogaritjes së koeficientit 7.4 del të jetë 777€.
Ndërsa, në 12 për doktorët specialistët, 1,260 euro. Kryeinfermieri do të paguhet 672 euro, ndërsa infermierët nga 588 deri në 535.5
Drejtori i përgjithshëm i policisë ka koeficientin 14.5 (1,522 euro), zv.drejtori i përgjithshëm 12.8 (1,344 euro) ndërsa Drejtori i Departamentit në Polici ka 11.2 (1,176 euro). Këto tri pozita paguhen në bazë të funksionit dhe jo të gradës.
Ndërsa koloneli, që është grada më e lartë në polici do të paguhet me koeficientin 10.2 (1,071 euro), nënkoloneli 9.2 (966 euro), majori 8.2 (861 euro), kapiteni 7.4 (777 euro), togeri 7 (735 euro) dhe rreshteri 6.4 (672 euro).
Ndërsa policët që nuk kanë gradë do të paguhen: Polici i lartë me koeficientin 5.9 (619 euro), Polici me koeficientin 5 (525 euro), Polici i ri 4.5 (472 euro) dhe kadeti policor me koeficientin 2 (210 euro).
Në Ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15 apo 1575 euro, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend, 210 euro.
Komandanti i brigadës së zjarrfikësve do të ketë pagë 735 euro, zjarrfikësi 525 euro, zjarrfikës praktikant 420 euro.