Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në momentin kur ka vendosur për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në qershor të këtij viti, shkruan Express.
Në një njoftim të lëshuar për media, Kushtetuesja ka treguar se e kanë cilësuar të pranueshme kërkesën e parashtruar nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri dhe dhjetë deputetë të tjerë.
Kushtetuesja ka vendosur që të shfuqizojë një vendim të tillë të Kuvendit meqë i njëjti nuk është në përputhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetut
Anëtarët e shkarkuar të KPMSHCK-së janë Eshref Shabani, Malsore Gashi-Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehemti, Ardita Haxhnikaj-Demi.
Sipas vendimit që mori sot Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka shkelur Kushtetutën gjatë shkarkimit të këtyre zyrtarëve.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore”, thuhet në vendim.