Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy anëtarëve të familjes Kryeziu në Prizren, të cilët ndodhen në paraburgim, nën dyshimet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.
Klankosova.tv ka mësuar se bëhet fjalë për Eduard Kryeziun dhe Bekim Kryeziun, të cilët u ndaluan pas një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në muajin mars.
Eduard Kryeziu akuzohet edhe për “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa Bekim Kryeziu edhe për veprën penale “Detyrimi”.
Sipas dosjes së Prokurorisë, nga muaji shkurt i vitit 2021, e në vazhdimësi, në Prizren, të akuzuarit kanë kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale në këmbim të shërbimit për të dëmtuarin E.G., duke e shfrytëzuar gjendjen e tij të rëndë financiare.
Viktima fillimisht ka kërkuar nga Eduardi 3000 mijë euro borxh, me afat kthimi brenda dy muajve dhe me rastin e dhënies së borxhit, i njëjtë e ka ngarkuar me kamatë mujore në shumë prej 650 euro,
“Në pamundësi për ta kthyer borxhin, i akuzuari E.K., përsëri i jep të dëmtuarit edhe 2500 € (dymijë e pesëqind euro), të cilat para i kishte marrë nga xhaxhai i tij, i akuzuari B.K., duke e paralajmëruar të dëmtuarin, se për këtë shumë do të paguaj kamatë mujore në shumë prej 500€ (pesëqind euro). Meqenëse i dëmtuari, nuk arrin të paguaj borxhin së bashku me kamatën që i kërkohet, të akuzuarit ia rrisin vlerën e kamatës mujore në vlerë prej 1150€ (njëmijë e njëqind e peshëdhjetë euro). Përsëri në pamundësi të pagesës, të pandehurit, ia jepin të dëmtuarit edhe 2000 € (dymijë euro), ku i dëmtuari nga muaji shkurt i vitit 2021 e deri në muajin shkurt të vitit 2025, ka paguar kamatë mujore në shumë prej 1650 € (njëmijë e pesëqind euro), e cila kamatë arrin vlerën mbi 25.000€ (njëzetë e pesë mijë euro). Me datë 18.03.2025 rreth orës 23:02 min, i akuzuari E.K., i dërgon sms të dëmtuarit duke i thënë se i ke borxh 13,650 € (trembëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euro) ose e bartë banesën tek noteri në emrin e tij.” – thuhet në aktakuzë.
Dy të akuzuarit u arrestuan më 26 mars në Prizren, pasi ishin takuar me viktimën dhe kanë marrë nga i njëjti 10 mijë euro.
Akuza për detyrim
Bekim Kryeziu akuzohet se më 27 shkurt 2025, në kohë të pacaktuar, në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përdorur forcën dhe në mënyrë të dhunshme ia ka marrë viktimës automjetin, orën nga dora, si dhe e ka kërcënuar që nëse nuk i pagan borxhet dhe kamatat e lartcekura, do të shkojnë tek noteri për ta bartur banesën e të dëmtuarit në posedim të tij.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, prokurori ka propozuar të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjetit dhe objektit me të cilën është kryer vepra penale si dhe përfitimeve nga kryerja e veprave penale, duke përfshirë shumën në total 18 mijë euro, automjetin “Mercedes”, armë, telefona etj, transmeton Gazeta Papirus.