Policia e Kosovës i ka arrestuar dy mjekë në Gjilan, pasi dyshohet se kanë marrë qindra euro ryshfet për të kryer një ndërhyrje.
Njëri prej të arrestuarve është anesteziolog, ndërsa njëri kirurg.
Insajderi mëson se anesteziologu i arrestuar është, Halil Basha kurse kirurgu është Luan Mustafa i cili ishte i akuzuar edhe më parë për veprën penale të “marrjes së ryshfetit”, por që ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Gjilanit.
Lidhur me rastin Gazeta Insajderin ka marrë një prononcim nga Drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini, i cili tha se është njoftuar nga Krimet Ekonomike për arrestimin e mjekëve pasi që është dashur ta organizojë kujdestarinë.
Ai tha se arrestimi i tyre është bërë mbrëmë rreth orës 20:00 për arsye të dyshimit për mitmarrje.