Katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Suharekë janë suspenduar nga Policia e Kosovës me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Klankosova.tv ka siguruar fotografitë e katër zyrtarëve Bashkim Gashi, Femi Sertolli, Qaush Hajdari dhe Lindita Rexhepaj, të suspenduar në lidhje me moszbatimin nga zyrtarët policorë të një aktvendimi të Gjykatës Themelore në Prizren.
Gjykata me aktvendim kishte urdhëruar ndërprerjen e arrestit shtëpiak dhe zëvendësimi me paraburgim ndaj një dy pandehurve, njëri i dyshuar për veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve kurse tjetri i dyshuar për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale.
Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj katër zyrtarëve policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore ne Prizren me dyshimin për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo të autoritetit zyrtar dhe veprën penale mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore.