Policia e Kosovës, i ka arrestuar nëntë persona në Prizren, të cilët kanë marrë pjesë në një përleshje ku është përdorur edhe armë zjarri.
Sipas njoftimit nga kjo përleshje ka mbetur një person i plagosur dhe disa të tjerë janë lënduar.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një pistoletë, dy thika, një shufër metalike dhe një boks hekuri.
Rasti nga Policia e Kosovës, është cilësuar si “Vrasje në tentativë”.
“Një mashkull kosovar ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit dhe disa të tjerë janë lënduar gjatë një përleshje që ka ndodhur midis disa personave. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me dy fishekë, dy thika, një shufër metalike dhe një boks hekuri. Të lënduarve u është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i plagosuri është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK. Me vendim të prokurorit nëntë të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personat që janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë Shefqet Kude, Përparim Xhemollari, Zenel Xhemollari (20-vjeçar), Zenel Xhemollari (68-vjeçar), Karafil Qengaj, Endrit Kastrati, Shpejtim Kastrati, Gzuar Kapllani dhe Burim Kapllani.
I dyshuari Shpejtim Kastrati, sipas informacioneve që ka Sinjali është ai që ka përdorur armën e zjarrit dhe për pasojë njëri nga të dyshuarit ka pësuar plagë, për çka është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sinjali mëson se personi që mbeti i lënduar nga arma është i dyshuari Liridon Kapllani, kurse personat e tjerë që janë përfshirë po ashtu në rast dhe janë lënduar janë Veprim Xhemollari, Qendrim Kapllani dhe Rrahim Kapllani. Kurse e dyshuara, Gonxhe Kapllani është liruar, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, rrahja dyshohet se ka ndodhur për shkak të një rasti të vjedhjes, që dyshohet se e kishte kryer njëri nga të dyshuarit dhe ka çuar deri në konflikt mes palëve, incident ky përveç armës u përdorën edhe shufra metalike, boks hekuri e brisqe.