Lëvizja Vetëvendosje, e njohur për qëndrime kategorikisht kundër pavarësimit, sovranitetit, simboleve kombëtare dhe Ushtrisë së Republikës së Kosovës, më 2008-ën pas shpalljes së pavarësisë, merrnin përsipër ta “dekonstruktonin” Deklaratën e Pavarësisë, në po të njëjtën ditë kur Kosova u shpall e pavarur.
Në një dokument të lëshuar nga Qendra e VV-së në Prishtinë, “analizohet” çdo pikë e Deklaratës së Pavarësisë, duke i dhënë konotacion asaj e cila sot gravurohet si deklaratë historike në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Vetëvendosje më 2008-ën gjente vërejtje për sovranitetin e Kosovës, të cilët thonin se nuk është në përputhje me Pakon e Ahtisaar-it dhe se pavarësia do të jetë tërësisht e mbikëqyrur
Kjo pikë është seriozisht kundërthënëse. Të qenit shtet i pavarur sovran është tërësisht i papajtueshëm me planin e Ahtisaarit dhe rekomandimet e tij. Ai nuk sugjeron sovranitet, por pavarësi skajshmërisht të mbikëqyrur. Ose Kryeministri nuk e di ç’është “sovraniteti”, ose do të na mashtrojë. Të ashtuquajturit udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk janë as udhëheqës, as demokratik. Më pak se 50% e popullit ka votuar për ta përbrenda një kornize të imponuar nga jashtë dhe proceseve prej së larti që nuk kanë të bëjnë asgjë me demokraci. Kjo deklaratë nuk mund të pasqyrojë “vullnetin e popullit tonë” sa kohë që na mohohet e drejta e mbajtjes së referendumit”, thuhet në shkarravitjen e VV-së mbi Deklaratën e Pavarësisë.
Ani pse nga kryeministri Kurti në vazhdimësi Plani i Ahtisaar-it tash promovohet si më i suksesshmi për të drejtat për pakica, atëbotë LVV-ja konsideronte se as nuk ishte në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Plani i Ahtisaarit nuk është në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në të vërtet, aty në plan nuk ka qenie njerëzore, por vetëm komunitete, të cilat do të ndahen e përçahen edhe më shumë nga ky plan”, thuhej më tej.
Madje, VV shprehte skepticizëm për arritjen e njohjeve, duke kërkuar nga diplomacia e atëhershme “kërkesë eksplicite” nga shtetet e huaja që ta njohin Kosovën.
Masakrimi i Deklaratës së Pavarësisë nga VV-ja, pa ndërhyrje:
Deklarata e Pavarësisë: Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
VV: Kjo pikë është seriozisht kundërthënëse. Të qenit shtet i pavarur sovran është tërësisht i papajtueshëm me planin e Ahtisaarit dhe rekomandimet e tij. Ai nuk sugjeron sovranitet, por pavarësi skajshmërisht të mbikëqyrur. Ose Kryeministri nuk e di ç’është “sovraniteti”, ose do të na mashtrojë. Të ashtuquajturit udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk janë as udhëheqës, as demokratik. Më pak se 50% e popullit ka votuar për ta përbrenda një kornize të imponuar nga jashtë dhe proceseve prej së larti që nuk kanë të bëjnë asgjë me demokraci. Kjo deklaratë nuk mund të pasqyrojë “vullnetin e popullit tonë” sa kohë që na mohohet e drejta e mbajtjes së referendumit.
Deklarata e Pavarësisë: Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
VV: Kjo deklaratë nuk do të sjell mbrojtjen e barabartë të njerëzve para ligjit, por do ta themelojë një zyre ndërkombëtare që do të qeveris mbi ne nëpërmjet zyrtarëve plotësisht jollogaridhënës dhe imun ndaj ligjeve që na i zbatojnë neve. Kjo pikë flet për “komunitete”, jo për qytetarë, dhe konfirmon fiksimin etnik të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë: Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
VV: Sërish përmenden “komunitetet” në vend se qytetarët, dhe obligimet në vend se të drejtat.
Deklarata e Pavarësisë: Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
VV: Plani i Ahtisaarit nuk është në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në të vërtet, aty në plan nuk ka qenie njerëzore, por vetëm komunitete, të cilat do të ndahen e përçahen edhe më shumë nga ky plan.
Deklarata e Pavarësisë: Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
VV: Kjo pikë faktikisht thotë që Kosova nuk don të bëhet e pavarur. Ajo e zbraz madje edhe vetë pavarësinë formale nga çfarëdo kuptimi e substance. Pranitë ndërkombëtare bazuar në Rezolutën 1244 nuk janë demokratike dhe nuk e promovojnë demokracinë. Përkundrazi, ato janë autoritare dhe ekzekutive. Duke kërkuar nga NATO që të qëndrojë këtu deri sa Kosova “të jetë në gjendje” të marrë “përgjegjësi” ushtarake është zhvlerësim i vetes. Duke bërë fjalë për “paqen, prosperitetin dhe stabilitetin” po zbulohet fokusi i bashkësisë ndërkombëtare për stabilitet dhe paqe e jo për liri e progres.
Deklarata e Pavarësisë: Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.
VV: Nuk është e nevojshme dhënia e “arsyeve” pse Kosova është evropiane. Ne jemi të tillë. Kjo pikë nuk thotë që Kosova ka për qëllim të bëhet anëtare e BE-së si shtet sovran, por vetëm tregon që “e ardhmja jonë është në familjen evropiane”.
Deklarata e Pavarësisë: Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.
VV: UNMIK-u nuk ka ndihmuar zhvillimin tonë demokratik. UNMIK-u është antidemokratik dhe dështim madje edhe sipas vetë pikëpamjeve të zyrtarëve të tij dhe sipas qëllimeve të vetëshpallura. Kjo pikë thotë gjithashtu që UNMIKu do të vazhdojë të qëndrojë këtu përgjithmonë. Prandaj Kosova e “pavarur” do të qeveriset prej dy misioneve ndërkombëtare, jo vetëm nga një !
Deklarata e Pavarësisë: Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
VV: Kjo pikë flet për detyrën e anëtarësimit të përgjegjshëm në organizatat ndërkombëtare, por jo për të drejtat dhe marrëdhëniet ndërkombëtarisht të barabarta. Kjo për shkak se të drejtat e Kosovës do të vazhdojnë të jenë në duart e administrimit ndërkombëtar këtu. Ahtisaari nuk thotë asgjë lidhur me kufijtë “ndërkombëtar” në aneksin VIII, por përmend në Nenin 3 që Kosova duhet ta mbështes marrëveshjen për kufirin nënshkruar ndërmjet Jugosllavisë (Serbisë) dhe Maqedonisë në shkurt të vitit 2001 në të cilën Maqedonia i mori 2.500 hektarë të tokës së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë: Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ishpjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
VV: Përderisa pika e mëparshme flet për detyra, kjo pikë përmend obligimet e Kosovës dhe kontributet për të cilat na zoton kjo deklaratë. Të drejtat dhe liritë tona ende nuk përmenden. Sërisht fjalë për paqen dhe sigurinë, por jo për zhvillim, përparim, mirëqenie.
Deklarata e Pavarësisë: Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
VV: Çintegrimi o Jugosllavisë nuk përfundon domosdoshmërisht me pavarësinë e Kosovës. Duke thënë që ajo përfundon me Kosovën, deklarata synon t’i zhvlerësojë përpjekjet e hungarezëve në Vojvodinë, shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe boshnjakëve në Sanxhak për të dalur nga sundimi serb. Dhe sërish kjo pikë thekson pajtimin në mënyrë që të harrohet e kaluara.
Deklarata e Pavarësisë: Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
VV: Kjo pikë është një përpjekje për përshkrim të paanshëm të marrëdhënies sonë me Serbinë, kur secili prej nesh e di që kjo marrëdhënie në të vërtet nënkuptonte: shfrytëzimin, shtypjen dhe sundimin nga Serbia.
Deklarata e Pavarësisë: Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.
VV: Kjo pikë e rëndësishme, që këtu paraqitet e fundit, nuk e përmend pavarësinë, por Planin e Ahtisaarit dhe Rezolutën 1244.
Kjo pikë nuk parashtron kërkesë eksplicite për njohje duke sinjalizuar që ne do ta kuptojmë dikë i cili do të vendos të mos na njohë.