Pak pasi mori detyrën si këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, Vehbi Miftari, është rehatuar në diplomacinë e Kosovës. I njëjti tani do të shërbejë si “përfaqësues” i Republikës së Kosovës për kontakt në Selinë e Shenjtë, ndonëse Vatikani ende nuk na njeh si shtet.
Portali Demokracia.com ka siguruar dokumentin e këtij vendimi të nënshkruar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, i cili nuk është bërë transparent për publikun.
Këshilltari i Osmanit, me vendim të MPJ-së, pritet të fillojë realizimin e detyrave të tij nga 1 dhjetori i këtij viti, deri më 30 nëntor të vitit 2025.
Përveç vendimit, i cili nuk u bë asnjëherë publik për media, tepër e dyshimtë është edhe mënyra dhe kriteret përmes të cilave Vehbi Miftari po e merr këtë detyrë.
Këtë çështje e ka komentuar edhe ish-ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, i cili thotë se një vendim i tillë është befasues, duke përmendur se nuk dihet mënyra dhe kriteret e përzgjedhjes.