Këshilli për Drejtësi dhe për Çështje të Brendshme i Këshillit të BE-së, nesër (9 mars) pritet të miratojë pozicionin e vet në lexim të parë për liberalizimin e vizave me Kosovën.
Kështu thuhet në agjendën e Këshillit.
Sipas njoftimit, siç raporton Klankosova.tv, në këtë takim do të miratohet edhe deklarata e arsyeve të Këshillit të BE-së për çështjen e vizave me Kosovën, arsye këto të aprovuara nga “Coreper” (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm në Bashkimin Evropian).
“Rregullorja mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Miratimi i qëndrimit të Këshillit në lexim të parë dhe e deklaratës së arsyeve të Këshillit të miratuara nga Coreper, pjesa 2, më 1.3.2023”, thuhet në agjendë, raporton Klankosova.tv.
Këshilli për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme do të mblidhet më 9 dhe 10 mars.
Në ditën e parë, ministrat do të diskutojnë çështjen e azilit dhe migrimit, për zonën Schengen, për politikën e vizave të BE-së, për sigurinë e brendshme, por edhe për reagimin e BE-së ndaj invazionit rus në Ukrainë.
Ndërkaq në ditën e dytë, më 10 mars, në agjendë janë diskutimet për të drejtat themelore, për racizmin dhe antisemitizmin, mbrojtjen e të drejtave të njeriut e agresionin rus në Ukrainë, veç tjerash.
Kujtojmë se ditë më parë, Bashkimi Evropian njoftoi se e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Në fund të vitit të kaluar, vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat përafruan qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur pritej të niste zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).