Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ka bërë të ditur se deri më tani, gjatë 2024, rreth 86 për qind e amvisërive paguan çmime vetëm në bllok tarifën e ulët, atë nën 800 kWh.
Ndërkaq, çmimin me rritje të energjisë elektrike e kanë paguar vetëm rreth 16 për qind të konsumatorëve të amvisërisë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese.
Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën.
Në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh.
Por, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh.
Nëse një konsumator konsumon 1 mijë e 600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura.
Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me dy tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh.